Tensionet në Rrjoll janë përshkallëzuar prej afro një muaji për shkak të resortit që oligarku Bashkim Ulaj po ndërton në zonë.
Banorët kundërshtojnë projektin dhe pretendojnë se toka është pronë e tyre, ndërsa dokumentet e pronësisë, sipas tyre, janë falsifikuar. Çështja ndodhet në proces gjyqësor.
Banorët përpiqen çdo ditë të ndalojnë punimet e kompanisë Gener 2. Për të garantuar vijimin e punës në kantier, Ulaj ka kontraktuar kompaninë private “Breçani Security”. Situata degradoi në përplasje fizike.
Në pamjet e publikuara shihet një punonjës sigurie që godet me grusht një të ri që proteston kundër ndërtimit. Pas incidentit, policia ndërhyri dhe shoqëroi në komisariat 6 banorë të Rrjollit, mes tyre edhe një vajzë.
Në mbështetje të banorëve shkuan edhe deputetët e Partisë Demokratike, Bardh Spahia dhe Luçiano Boçi.
Banorët deklarojnë se nuk do të heqin dorë nga pretendimet për pronën. Pak ditë më parë, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm njohu të drejtën e pronësisë për familjen Malaj mbi 20,700 metra katrorë, rreth 2.1 hektarë, në Rrjoll të Velipojës. Vendimi pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencia e Trajtimit të Pronave, në një proces të nisur në vitin 2018.
Banorët shpresojnë që gjykata të shprehet pozitivisht edhe për sipërfaqen ku po ndërtohet resorti “Blue Borgo”. Sipas tyre, Fatmir Shpellzaj, ish-drejtor i Kadastrës dhe përfaqësues i Partisë së Lirisë, ka përfituar pronësinë mbi tokën përmes dokumenteve të falsifikuara, pretendim që mbetet objekt hetimi.
Ulaj nisi punimet për “Blue Borgo” në fillim të shkurtit, pasi mori lejen për ndërtim. Projekti shtrihet në 146 hektarë dhe parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me ndërtesa nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Zhvilluesi është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e cila mban statusin e investitorit strategjik. Përplasja në terren pritet të vijojë paralelisht me betejën në gjykatë
©️zërionline


