Në prag të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Durrësi u kthye sërish në qendër të një prej aktiviteteve domethënëse qytetare: ceremonia tradicionale e dhënies së titullit “Nderi i Punës”, e organizuar prej afro tri dekadash nga aktivistja dhe poetja Myzejen Konduri.
Prej vitesh, kjo nismë ka krijuar një identitet të veçantë në jetën sociale të qytetit, duke vlerësuar çdo vit 10 gra me kontribute të shquara në shoqëri dhe biznes. Aktiviteti është kthyer në një platformë të rëndësishme promovimi për gratë që, përmes profesionalizmit dhe përkushtimit, ndikojnë realisht në përmirësimin e jetës së komunitetit.
Ceremonia e këtij viti u zhvillua në një atmosferë festive dhe reflektuese, ku u evidentua roli i pazëvendësueshëm i gruas në sektorë kyç si shëndetësia, drejtësia, sipërmarrja dhe shërbimet sociale.
Me titullin “Nderi i Punës” për vitin 2026 u vlerësuan:
- Greta Guga, mjeke psikiatre
- Adisa Teliti, psikologe
- Katerina Deliallisi, veterinere
- Sofjana Xhavo, stomatologe
- Suzana Ago, biznesmene
- Merita Muzina, juriste
- Liljana Turku, biznesmene
- Uarda Shehu, mjeke
- Ornela Haxhiri, sipërmarrëse
- Bjanka Salliu, pediatre
Secila prej tyre përfaqëson një histori suksesi dhe një shembull frymëzimi për brezat e rinj, duke dëshmuar se investimi në dije, etikë pune dhe vizion sjell rezultate të qëndrueshme.


Organizatorja Myzejen Konduri theksoi në fjalën e saj mesazhin e bashkëpunimit dhe solidaritetit mes grave, duke nënvizuar se “së bashku mund t’ia dalim mbanë”, pavarësisht sfidave sociale dhe ekonomike.
Një tjetër moment kulmor i mbrëmjes ishte dhe vlerësimi me titullin “Simbol i Gruas” për durrsaken Nora Malaj, një nga zërat e fuqishëm të grave në politikë dhe shoqëri. Në mesazhin e saj drejtuar bashkëqytetarëve durrsakë, ajo bëri thirrje për të hequr dorë nga paragjykimet dhe “psikovampirët” që dëmtojnë energjinë pozitive të shoqërisë, duke theksuar rëndësinë e edukimit të brezave me dashuri, qetësi dhe vlera të forta morale.

Eventi u prezantua nga Xheni Konduri, e cila me elegancë i dha ritëm dhe emocion aktivitetit që u pasurua dhe me elementë socialë, mbështetje për fëmijët në nevojë të cilët përcollën mesazhe të ndjera dhe të bukura për pjesëmarrësit në sallën e QKF-së Durrës ku u zhvillua këtë herë aktiviteti.

Një tjetër dimension artistik sollën për të pranishmit këngëtarët e ftuar Mateus Frroku, Sheila etj. Mes tyre dhe këngëtarja durrsake Julieta Strefi, e cila me interpretimin e saj plot energji dhe emocion krijoi atmosferën e vërtetë të spektaklit, duke e shndërruar ceremoninë në një festë të bukur për të pranishmit.

“Nderi i Punës” mbetet kështu një nga ngjarjet më të qëndrueshme në kalendarin qytetar të Durrësit, një festë e meritës, dinjitetit dhe fuqisë transformuese të gruas durrsake.
Vali Qyrfyçi
©️zërionline


