Një 41-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Tiranë, pasi dyshohet se nuk u ka paguar rreth 20 250 euro paga pesë punonjëseve të parukerisë “Adelse Hair Institute”, një subjekt i frekuentuar nga persona të njohur publikë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Kolektivi”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh arrestuan shtetasin Besmir Aliko, ndërsa për bashkëshorten e tij, Kaltrina B., nisi procedimi penal në gjendje të lirë.

Hetimet nisën pas kallëzimeve të pesë punonjëseve, të cilat pretenduan se ishin shfrytëzuar dhe mashtruar, duke mos u paguar për punën e kryer ndërkohë që subjekti vijonte aktivitetin normalisht. Sipas policisë, shuma totale e papaguar ndaj tyre arrin në rreth 20 250 euro.
Ndaj të dyshuarve rëndojnë veprat penale “Mashtrimi”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve”, si dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Nga verifikimet paraprake dyshohet se pajisjet me të cilat ushtronte aktivitetin subjekti ishin futur në vend në mënyrë të paligjshme.
Rasti nxjerr në pah një fenomen që nuk është i izoluar në tregun e punës në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, ku punonjës, kryesisht gra dhe vajza të reja, shpesh punësohen pa kontrata të rregullta, pa sigurime shoqërore dhe përballen me vonesa apo mospagesa të pagave.
Në shumë raste, frika për të humbur vendin e punës apo mungesa e alternativave i detyron punonjësit të heshtin, duke e bërë të vështirë denoncimin në kohë të abuzimeve. Operacione të tilla sinjalizojnë përpjekjet për të goditur informalitetin dhe shkeljet ekonomike, por njëkohësisht tregojnë se kontrollet dhe ndërgjegjësimi mbeten thelbësorë për të parandaluar raste të ngjashme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të shkeljeve.
©️zërionline


