Pasditen e së martës, shërbimi vendor zjarrfikës i bashkisë Durrës mori një njoftim për një zjarr në zonën e Sukthit, ku flakët deklarohet se kanë përfshirë barishte dhe mbeturina. Në përgjigje të incidentit, një automjet zjarrfikës dhe një grup zjarrfikësish u nis menjëherë në vendngjarje, për të vënë situatën nën kontroll dhe shmangur dëme të mëtejshme.
Këto zjarre janë pjesë e një serie incidentesh që kanë ndodhur këtë verë, të ndikuara nga temperaturat e larta dhe pakujdesia njerëzore. Vetëm më herët gjatë ditës së martë, janë raportuar dy zjarre të tjera: një në Spitallë dhe tjetri në rrugën e Fllakës, në drejtim të bregdetit. Të gjitha këto zjarre kanë përfshirë kryesisht barishte, hamullore dhe mbeturina.


Përveç pakujdesisë, ka dyshime se disa zjarre janë shkaktuar qëllimisht për të liruar hapësira kullotash. Kjo praktikë e paligjshme jo vetëm që dëmton mjedisin, por gjithashtu rrezikon banesat dhe pronat e qytetarëve. Megjithatë, deri tani, fatmirësisht nuk janë raportuar dëme të mëdha materiale apo të rrezikohen jetët e njerëzve në Durrës. Organet kompetente janë duke hetuar për të identifikuar përgjegjësit dhe për të marrë masat e nevojshme parandaluese.
@zërionline


