Një 27-vjeçar dhe një foshnjë janë gjetur pa shenja jete mëngjesin e së dielës, 1 nëntor, brenda një banese në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, në Kosovë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njoftimin për ngjarjen e ka marrë rreth orës 08:47. Menjëherë pas raportimit, në adresën e dhënë kanë shkuar efektivët e policisë, përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit dhe personeli i urgjencës mjekësore.
Pas kontrollit të dy personave, ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e tyre.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar se njëri prej viktimave është i lindur në vitin 1999, ndërsa viktima tjetër është një foshnjë. Autoritetet nuk kanë publikuar të dhëna të tjera mbi identitetin e tyre.
Me urdhër të autoriteteve kompetente, trupat janë transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku ekspertët do të kryejnë obduksionin për të përcaktuar shkaqet e vdekjes.
Policia e ka regjistruar rastin si “Hetim i vdekjes” dhe po bashkëpunon me prokurorinë për sqarimin e plotë të rrethanave.


