Një letër e shkruar rreth një dekade më parë nga akademiku Rexhep Qosja ka dalë në dritë pas ndarjes së tij nga jeta, duke marrë sot një domethënie të veçantë. Dokumenti, i datës 30 prill 2016, i është drejtuar nipit të tij, Valjetit, të cilit i kishte besuar kujdesin për jetën dhe, njëkohësisht, amanetin për përcjelljen e fundit.
Letra është bërë publike nga vetë nipi, si një dëshmi e fjalës së Qoses dhe e vullnetit të tij të qartë për mënyrën e varrimit. Në të, ai kërkon që ceremonia të zhvillohet pa rituale fetare, pa praninë e autoriteteve shtetërore dhe vetëm në rrethin familjar.

Akademiku shprehet gjithashtu se dëshiron një përcjellje të thjeshtë, pa fjalime, pa media dhe pa lule, pranë bashkëshortes së tij, Shpresës. Në të njëjtën letër, ai reflekton mbi jetën dhe veprimtarinë e tij, duke theksuar përkushtimin ndaj mendimit shkencor, lirisë dhe mirëqenies demokratike të shqiptarëve.
“Vdes i qetë”, shkruan ai, ndërsa pranon se, si çdo njeri, nuk ka qenë pa gabime, por mbetet i bindur se ka jetuar dhe vepruar duke bërë mirë dhe duke përhapur njerëzillëk.
Letra, e shkruar me vetëdije të plotë dhe mendje të kthjellët, sot lexohet si një testament moral dhe intelektual, që mbyll në mënyrë domethënëse jetën dhe veprën e një prej figurave më të rëndësishme të mendimit shqiptar.
V.Q.
©️zërionline


