Një aksident i rëndë me pasoja fatale është regjistruar në Lezhë, ditën e djeshme ku kanë humbur jetën babë e bijë. Ngjarja ka ndodhur në aksin dytësor Lezhë – Kakarriq, në zonën e njohur si Gocaj, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal, duke u përmbysur. Askush nuk i pa në kohë dhe rrjedhimisht as mundi t’u shkojë në ndihmë menjëherë.
Viktimat u identifikuan si Anton Keçi, 52 vjeç, Shef i Shëndetësisë në IEVP Lezhë, dhe vajza e tij 20-vjeçare, Bora Keçi, studente në vitin e dytë në Fakultetin e Mjekësisë.

Sipas burimeve paraprake, dyshohet se aksidenti ka ndodhur në orët e pasdites, por është konstatuar vetëm në orët e vona të mbrëmjes së së shtunës. Kanë qenë familjarët, bashkëshortja fillimisht, që, të shqetësuar për mungesën e kontaktit me Borën dhe Antonin, kanë nisur kërkimet dhe kanë dhënë alarmin. Gjatë një patrullimi në zonë, shërbimet e policisë kanë zbuluar automjetin e përmbysur në kanal, ku janë gjetur edhe trupat e pajetë të viktimave. Vështirësia për lokalizimin e tyre ka qenë e madhe, pasi kanali ishte thuajse i padukshëm në kushtet e errësirës.
Në një njoftim zyrtar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe IEVP Lezhë shprehën dhimbjen për humbjen e Dr. Keçit, duke vlerësuar kontributin e tij prej vitesh në sistemin penitenciar, si dhe figurën e tij profesionale dhe njerëzore.
“Në këto momente të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe të afërmit. Jemi pranë bashkëshortes dhe djalit të tij, duke ndarë dhimbjen e madhe për këtë humbje të parakohshme dhe të pazëvendësueshme”, thuhet në njoftim.
Policia rrugore po heton për të kuptuar dinamikën e aksidentit dhe nëse ndonjë situatë e krijuar në rrugë e shkaktoi atë.
©️zërionline


