Një makinë e djegur është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Bulqizë, duke ngritur pikëpyetje për reagime kriminale ndaj një gazetari lokal. Sipas policisë, automjeti i një gazetari është përfshirë nga flakët në rrethana të dyshimta.
Rreth orës 03:00, shërbimet e Policisë janë njoftuar nga shtetasi Sami Curri, banues në Bulqizë dhe me profesion gazetar, se automjeti i tij tip “Ford Fiesta”, i parkuar pranë banesës, ishte përfshirë nga zjarri.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, grupi hetimor dhe zjarrfikësja, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe nisjen e veprimeve për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri është vendosur qëllimisht. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht punën për dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Vetë Curri ka deklaruar se dyshon që djegia e makinës lidhet drejtpërdrejt me punën e tij si gazetar.
Ai ka theksuar se së fundmi ka trajtuar çështje të ndjeshme, të cilat mund të kenë sjellë reagime të tilla, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë.
©️zërionline


