Policia e Sarandës ka bërë sot ekzekutimin e vendimit duke arrestuar shtetasin Klementin Islamaj 43 vjeç banor i fshatit Shalës, bashkia Konispol. Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë e ka dënuar 43-vjeçarin me 3 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Arrestimi lidhet me ngjarjen e datës 10 gusht 2024 në familjen Islamaj në Shalës të Konispolit, ku sipas informacioneve të ditës së ngjarjes ka qenë 69-vjeçari Hysen Islamaj, babai i Klementinit, i cili pasi kish vrarë 66-vjeçaren Shano Islamaj, kanosi e më pas qëlloi edhe mbi të birin, që atëherë ishte 41 vjeç.
Ai në dëshminë e tij mesohet të ketë thënë:
“Në pjesën e dyshemesë ku ndodhej dhe trupi i nënës time ishte me shumë gjak. Në këtë moment kam parë se në korridor nga kuzhina e banesës erdhi babai im Hysen Islamaj ku, në dorën e djathtë mbante një gotë qelqi të tejdukshëm dhe sapo u ndodh përballë meje, unë i fola, duke i thënë “se çfarë kishte bërë” dhe ai m’u përgjigj: “Se çfarë desha e bëra, tani e keni radhën ju” dhe menjëherë pas këtyre fjalëve, më ka goditur me gotën që mbante në dorë në pjesën e fytyrës dhe hundës, por pa e lëshuar gotën nga dora. Në këtë moment, duke mos parë dhe fëmijët aty, jam trembur se dhe fëmijëve mund t’u kishte ndodhur e njëjta gjë.
Nga ky moment, jam tronditur shumë. Jam munduar t’i shmangem babait, shumë i tronditur nga ajo çfarë pashë dhe mosgjetja e fëmijës, e kam qëlluar me grushta dhe shkelma babain, por nuk kam përdorur asnjë lloj sendi kur kam goditur babain. Pashë që babai është rrëzuar dhe kishte akoma shenja jete. Në moment jam kthjelluar disi. Jam bërë pishman për goditjet e mija ku i kam dhënë dhe ndihmë për ta kthyer trupin me shpinë nga toka duke qenë se ai, kur u rrëzua, ra me brinjë gati përmbys.
Pas kësaj, kam shkuar brenda në shtëpi për të parë nëse nëna ime ishte në jetë apo jo. Kur u afrova tek trupi i nënës, pashë që ajo po jepte frymën e fundit dhe një moment nuk reagoi më. Menjëherë pas kësaj, kam dalë në oborrin e banesës dhe kam thirrur me zë të lartë për njoftimin e ambulancës,”
Edhe pas pothuaj 2 vitesh nga ngjarja e rëndë, 43-vjeçari Klementin Islamaj deklarohet se ndodhet në gjendje të rënduar psikike.
©️zërionline


