Një lidhje jashtëmartesore e viktimës pretendohet të jetë shkak i vrasjes së 61-vjeçarit. Pas krimit nënë e bir dyshohet se hodhën rrobat e viktimës në tualet.
Detaje tronditëse janë zbardhur nga vrasja e Urim Fikut në fshatin Godvi të Bulqizës, ku bashkëshortja dhe djali i tij dyshohet se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke e paraqitur ngjarjen fillimisht si një sulm fatal nga një ari.
Sipas hetimeve, 61-vjeçari dyshohet se u qëllua fillimisht me pistoletë pas shpine, me plumbin që ka përshkuar trupin dhe ka dalë në pjesën e gjoksit. Përveç plagës së shkaktuar nga arma e zjarrit, ekspertët mjekoligjorë kanë konstatuar edhe një dëmtim të rëndë në kokë, që dyshohet se është shkaktuar me sëpatë.
Për të fshehur plagën e shkaktuar nga arma e zjarrit, bashkëshortja dhe djali dyshohet se i kanë hequr rrobat viktimës dhe e kanë veshur me të tjera.

Sipas hetimeve, pasi kanë prerë me gërshërë rrobat e viktimës i biri i ka hedhur në tualetin e banesës, me qëllim zhdukjen e provave.
Familjarët raportuan se Urim Fiku ishte sulmuar nga një ari, teksa e kanë transportuar në spitalin e Bulqizës për ndihmë mjekësore, por bluzat e bardha kanë konstatuar se ai kishte mbërritur pa shenja jete.
Sipas burimeve policore, bashkëshortja dhe djali kanë kërkuar të tërheqin trupin për të vijuar me ceremoninë mortore, por mjekët njoftuan policinë e cila nisi hetimet që zbuluan se vdekja ishte pasojë e një krimi familjar.
Gjatë marrjes në pyetje, bashkëshortja Sadete Fiku dyshohet se ka treguar se motivi i ngjarjes lidhej me xhelozinë dhe shpenzimet, pasi bashkëshorti kishte krijuar një lidhje tjetër jashtëmartesore.
Pistoleta është sekuestruar nga policia, pasi vendndodhja e saj është treguar nga djali i viktimës. Në cilësinë e provës materiale janë marrë edhe veshjet që dyshohet se janë përdorur në përpjekjen për të zhdukur gjurmët e krimit.
Nënë e bir dyshohen për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.
©ZëriOnline


