Pallatet e dëmtuara nga tërmeti dhe banesat e braktisura në qytetin e Durrësit po kthehen çdo ditë e më shumë në një shqetësim serioz për banorët. Godinat e lëna jashtë funksionit prej vitesh po përdoren jo vetëm si strehë për persona të pastrehë, por edhe për aktivitete të paligjshme që po shtojnë ndjeshëm pasigurinë në lagje.

Pak javë më parë u zbulua në lagjen nr. 8 lëndë narkotike në një objekt të pabanuar pranë banesës së një 30-vjeçari. Ndërsa në lagje të ndryshme banorët ankohen vazhdimisht mbi situatën e krijuar dhe faktin se askush nuk kujtohet mbi problematikën që sjellin godinat e amortizuara.
Banorët i konsiderojnë si “bomba me sahat” në mes të zonave të banuara.
“Natën nuk ndihemi fare të sigurt. Futet e del kush të dojë në ato pallate dhe nuk dihet çfarë bëhet brenda. Kemi frikë për fëmijët edhe gjatë ditës”, shprehet një banore e zonës.

Një tjetër qytetar thotë se objektet e braktisura janë kthyer edhe në vendgrumbullime mbeturinash. “Era është e padurueshme gjatë verës dhe askush nuk vjen t’i pastrojë. Janë bërë vatër infeksioni”, tregon ai, por ndërkohë janë vetë banorët që i kanë shndërruar në kosh gjigand mbetjesh.
“Bashkia duhet të ndërhyjë sa më parë. Ose t’i shembin, ose t’i rrethojnë. Nuk mund të jetojmë çdo ditë me këtë pasiguri”, shprehet një tjetër banor.

Me sy të lirë në objektet e pabanuara sheh mbetjet e aktiviteteve të ndryshme të personave që I frekuentojnë, përfshirë dhe shiringa etj.
Përpos kësaj këto objekte mbulojnë dhe nevojën e të pastrehëve, për strehim por në kushtet e përdorimit nga të tjerë që duan t’i ruhen syrit të njerëzve, këto godina kthehen në të pasigurta dhe për ta.
Banorët, ndërkaq, kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet lokale për pastrimin, rrethimin ose shembjen e këtyre objekteve, në mënyrë që të shmanget degradimi i mëtejshëm dhe përdorimi i tyre për aktivitete të paligjshme që rrisin pasigurinë në komunitet.
©️zërionline


