Policia e Lezhës ka dhënë detaje mbi aksidentin e rëndë të regjistruar mbrëmjen e së hënës në aksin Thumanë–Laç, ku humbi jetën një 56-vjeçar dhe mbetën të plagosur tre persona të tjerë.
Në lidhje me ngjarjen, uniformat blu kanë arrestuar drejtuesin e njërit prej automjeteve, shtetasin Orgest Peca, 20 vjeç, banues në Durrës, i akuzuar për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”.
Viktima e aksidentit është Nikolin Gjoni, 56 vjeç. Ndërkohë, tre pasagjerë që udhëtonin në automjetin e tij kanë mbetur të dëmtuar dhe janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin O. P., 20 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Rreth orës 23:30, të datës 19.05.2026, në aksin rrugor Thumanë–Laç, automjeti që drejtonte 20-vjeçari është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. Gj., 56 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi N. Gj. ka humbur jetën, ndërsa janë dëmtuar shtetasit P. Gj., 75 vjeç, M. Gj., 70 vjeçe dhe V. Gj., 56 vjeçe, pasagjerë në automjetin tjetër, të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia
©ZëriOnline


