“Na e shuan ëndrrën 4 ditë para festivalit”/ Prindërit e fëmijëve i drejtohen Ramës për Junior Eurovision

Date:

Share post:

Vetëm pak ditë para nisjes së Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër, një vendim i fundit i RTSH-së ka shkaktuar reagime dhe zhgënjim tek prindërit dhe fëmijët pjesëmarrës. Përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama, ata kërkojnë që festivali tradicional i Shkodrës të mbetet edhe këtë vit kompeticioni nga i cili do të përzgjidhet kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Junior Eurovision Song Contest 2026.

Prindërit shprehen se janë njohur vetëm katër ditë para festivalit me njoftimin e RTSH-së për organizimin e “Junior Fest”, një event i ri nga ku do të zgjidhet përfaqësuesi shqiptar në Junior Eurovision 2026. Sipas tyre, ky zhvillim ka tronditur emocionalisht fëmijët që prej muajsh janë përgatitur për festivalin e Shkodrës me shumë sakrifica dhe përkushtim.

Në letrën e tyre, ata theksojnë se rreth 25 fëmijë dhe 20 këngë pjesëmarrëse kanë investuar kohë, energji dhe mbështetje financiare për të qenë pjesë e festivalit, duke e konsideruar atë jo vetëm një skenë artistike, por edhe një mundësi reale për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

“Fëmijët janë e ardhmja e këtij vendi. Ata meritojnë transparencë, vlerësim dhe respekt për mundin e tyre”, thuhet në reagimin e prindërve, të cilët kërkojnë ndërhyrjen e kryeministrit për të mos ndryshuar traditën e festivalit të Shkodrës.

Festivali do të mbahet më 30 dhe 31 maj, ndërsa nata finale është planifikuar më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Letra e hapur:

“I NDERUAR Z KRYEMINISTER!

Jemi një grup prindërish, fëmijët e të cilëve do të marrin pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, që do të zhvillohet në Shkodër në datat 30 dhe 31 Maj, si edhe më 1 Qershor, në natën finale, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Ky festival ka qenë gjithmonë një festë e bukur e muzikës për fëmijë, ku marrin pjesë talente nga të gjitha trevat shqipfolëse, duke sjellë emocione, pasion dhe shumë punë të bërë me përkushtim për muaj të tërë.

Me keqardhje dhe habi të madhe, vetëm katër ditë para nisjes së festivalit, u njohëm me një postim të RTSH-së, ku njoftohej organizimi i “Junior Fest”, nga i cili do të përzgjidhet kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Junior Eurovision 2026.

Ky lajm ka qenë vërtet tronditës për fëmijët tanë. Janë 20 këngë pjesëmarrëse dhe rreth 25 fëmijë që kanë punuar me muaj të tërë me sakrifica të mëdha artistike, emocionale dhe financiare. Ata janë shkëputur nga angazhimet shkollore dhe aktivitetet e tyre të përditshme për t’iu përkushtuar këtij festivali me ëndrra dhe shpresë.

Të mësosh vetëm pak ditë para festivalit se fituesi i Festivalit Mbarëkombëtar në Shkodër nuk do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurovision, është zhgënjyese dhe demotivuese për çdo fëmijë pjesëmarrës.

Ju lutemi, në emër të gjësë më të shtrenjtë që kemi — fëmijëve tanë — ta lini edhe këtë vit Festivalin e Shkodrës si festivalin nga i cili do të dalë kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Junior Eurovision 2026.

Fëmijët janë e ardhmja e këtij vendi. Ata meritojnë transparencë, vlerësim dhe respekt për mundin e tyre. Ju sigurojmë se në këtë festival marrin pjesë talente të jashtëzakonshme, që nesër do të përfaqësojnë me dinjitet kulturën dhe muzikën shqiptare.

Me besimin se do ta mirëkuptoni shqetësimin tonë dhe do të merrni në konsideratë këtë kërkesë të sinqertë në mbështetje të fëmijëve,

Me respekt,
Prindërit e fëmijëve pjesëmarrës në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë – Shkodër 2026″

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Fier/ 37-vjeçari humb jetën në aksident

Një aksident i rëndë rrugor ndodhi në aksin rrugor Fier-Darëzezë. Paraprakisht deklarohet nga policia se një 37 vjeçar,...

Erion Veliaj mbetet në qeli, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për liri

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në arrest me burg, pasi Gjykata e Lartë...

Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja/ Ja sa do të shiten nafta dhe benzina

Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të mërkurë çmimet e reja të karburanteve në vend, të cilat kanë...

Durrësi bëhet pjesë e rrjetit të fermave urbane/ Ekspertë nga Italia, Mali i Zi dhe Shqipëria bashkohen në “EDEN”

Durrësi mirëpriti Green Workshop-in e parë (“Punëtoria e Gjelbër”), të zhvilluar në kuadër të projektit ndërkombëtar “EDEN”, një...