Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, duke u përhapur me shpejtësi drejt sipërfaqeve me pisha dhe bimësi të dendur.
Flakët janë favorizuar nga temperaturat e larta dhe era, ndërsa terreni i vështirë po e bën më të komplikuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, të cilat ndodhen në terren në përpjekje për të izoluar vatrën dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është afruar pranë disa strukturave akomoduese dhe hoteleve të zonës, duke krijuar rrezik për objektet përreth dhe pushuesit. Deri tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën.
Shkaku i rënies së zjarrit ende nuk dihet, ndërsa pritet që hetimet të nisin pas neutralizimit të plotë të flakëve.
Me rritjen e temperaturave në vend, autoritetet paralajmërojnë edhe nisjen e sezonit të zjarreve, një problematikë që çdo verë rrezikon sipërfaqe pyjore, zona turistike dhe banesa, sidomos në zonat bregdetare dhe kodrinore.
©ZëriOnline


