Gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Geraldo Bibën, drejtues i policisë private dhe i njohur më herët edhe si “Mister Durrësi 2012”, i ndaluar pas ngjarjes së ndodhur në Zvërnec më 30 maj gjatë protestave të qytetarëve kundër investimit që ka bllokuar të gjithë lëvizjen në atë pjesë të bregdetit.
Seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të hënë nën drejtimin e gjyqtarit Etien Isak. Në përfaqësim të organit të akuzës ishte prokurorja Julinda Gjika.

Gjatë seancës, prokuroria paraqiti kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Bibës. Pas shqyrtimit të rrethanave dhe dëgjimit të palëve, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrest në burg.
Geraldo Biba u prangos nga policia pas ngjarjes së regjistruar në zonën e Zvërnecit më 30 maj, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përfshirë dhe rolin e policisë së Vlorës.
Vendimi i gjykatës nënkupton se i dyshuari do të qëndrojë në paraburgim deri në një vendimmarrje tjetër nga organet e drejtësisë, ndërsa dosja hetimore vijon të jetë në shqyrtim nga prokuroria.
Ndërkaq pas grushtimit dhe tërheqjes zvarrë të qytetarit në Zvërnec, shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” deklaroi një ditë më parë se ka ndërprerë në mënyrë të menjëhershme kontratën me “Major Security”, duke kërkuar njëherësh dhe ndjesë publike për pamjet e rënda që u transmetuan në rrjetet sociale.
Sot kësaj kompanie dhe një kompanie tjetër që vepronin për sigurinë në zonë iu hoq licenca për ushtrimin e aktivitetit.
©ZëriOnline


