Basketbollisti durrsak, kapiteni i Teutës Kristi Gorea ka marrë një nga vlerësimet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke u përzgjedhur nga Eurobasket.com në Pesëshen ideale (ekipi I) të Superligës Shqiptare 2025-2026, njëkohësisht duke fituar edhe vlerësimin prestigjioz “Center of the Year” (Qendra e Vitit).
Në ekipin ideal të sezonit janë përfshirë katër amerikanët Johnathan Massie i Tiranës, Trey Edmonds III i Besëlidhjes, DJ Campbell i Apolonisë, Brock Wakefield i Skënderbeut dhe Kristi Gorea i Teutës, i cili përfaqëson basketbollin durrsak në mesin e lojtarëve më të spikatur të kampionatit shqiptar.

Ky vlerësim konfirmon sezonin e shkëlqyer të 29-vjeçarit, i cili ishte një nga pikat më të forta të Teutës gjatë gjithë kampionatit. Gorea u përfshi nga Eurobasket edhe në pesëshen më të mirë të lojtarëve shqiptarë, (All-Domestic Players Team), duke u renditur mes basketbollistëve më të dalluar të këtij sezoni.

Gjatë edicionit 2025-2026, qendra e Teutës regjistroi mesatarisht rreth 13 pikë dhe mbi 6 kërcime për ndeshje. Ai zhvilloi paraqitje të nivelit të lartë, duke realizuar dy ndeshje me mbi 20 pikë dhe pesë “double-double”. Ndeshja e tij më e mirë ishte ndaj Pogradecit, ku shënoi 25 pikë, rekordi personal i sezonit.
Vlerësimi i Eurobasket merr rëndësi të veçantë pasi kampionati shqiptar këtë sezon u dominua nga lojtarë të huaj, kryesisht amerikanë, të cilët fituan shumicën e vlerësimeve individuale. Pavarësisht konkurrencës së fortë, Gorea arriti të spikasë dhe të sigurojë vendin e tij mes më të mirëve.
Çmimin e lojtarit të vitit e fitoi Johnathan Massie i Tiranës, i cili u shpall gjithashtu mbrojtësi, organizatori dhe lojtari i huaj më i mirë i sezonit. Ndërkohë, Trey Edmonds III i Besëlidhjes u vlerësua si MVP i finaleve dhe sulmuesi më i mirë, duke udhëhequr skuadrën lezhjane drejt titullit kampion.
Megjithatë, për Teutën dhe Durrësin lajmi më i mirë vjen nga Kristi Gorea, i cili vazhdon të mbetet një nga figurat më të rëndësishme të basketbollit shqiptar. Përzgjedhja në 5-shen e ekipit ideal të sezonit dhe shpallja si qendra më e mirë e Superligës janë një vlerësim i merituar për punën, përkushtimin dhe kontributin e tij me fanellën e Teutës.
Ky sukses nuk është vetëm personal për Gorean, por edhe një krenari për sportin durrsak, që sheh një prej përfaqësuesve të tij të renditet në majën e basketbollit shqiptar.
©ZëriOnline


