Me nisjen e sezonit turistik veror 2026, strukturat e kufirit në Durrës kanë shtuar kontrollet dhe masat e sigurisë për të përballuar fluksin e lartë të hyrje-daljeve, si dhe për të parandaluar paligjshmëritë në kufi dhe në hapësirat detare. Qarku i Durrësit, si një nga portat kryesore hyrëse të vendit dhe destinacionet më të frekuentuara turistike, po monitorohet me kapacitete të shtuara në të gjitha pikat e kalimit dhe zonat bregdetare.
Sipas drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Kryekomisar Altin Lila, janë ndërmarrë një sërë masash të shtuara me nisjen e sezonit turistik veror 2026, me fokus goditjen e paligjshmërive në kufi, menaxhimin e flukseve të udhëtarëve dhe garantimin e sigurisë në zonat turistike dhe ujore të qarkut.

Sipas tij, Durrësi mbetet një nga pikat kryesore hyrëse në vend dhe njëkohësisht një nga destinacionet më të frekuentuara turistike, çka ka kërkuar rritje të kapaciteteve dhe intensifikim të kontrolleve në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Gjatë muajit maj 2026, në pikat kufitare të qarkut janë përpunuar mbi 46 mijë shtetas dhe rreth 20.300 automjete, ndërsa fluksi më i lartë brenda 24 orëve ka arritur në 2.140 shtetas dhe 1.060 automjete. Për përballimin e këtij fluksi, janë shtuar sportelet dhe personeli, ndërsa po finalizohet instalimi i sistemeve dhe pajisjeve të reja teknologjike për të rritur shpejtësinë e përpunimit, pa cënuar standardet e sigurisë.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë në hapësirat ujore dhe në plazhe, ku në bashkëpunim me institucionet përkatëse po monitorohet respektimi i kritereve të sigurisë nga subjektet private, funksionimi i perimetrit të sigurisë, prania e vrojtuesve të plazhit dhe përdorimi i mjeteve lundruese.
Për këtë qëllim, janë angazhuar 275 punonjës policie, 20 drejtues shërbimi, 11 patrulla ujore me Jet Ski, 5 skafe dhe gomone, si dhe 8 patrulla tokësore, ndërsa monitorimi kryhet edhe përmes dronëve nga toka dhe ajri.
Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara, bazuar në analizën e riskut dhe informacionin operacional, gjatë muajit janë konstatuar 15 vepra penale të referuara në Prokurori. Ato përfshijnë 4 raste të trafikimit të mjeteve motorike në kufi, ku janë sekuestruar mjete të shpallura në kërkim ndërkombëtar, 5 raste të kontrabandës së mallrave pa dokumentacion justifikues, 1 rast të mosdeklarimit të sendeve me vlerë dhe valutës në kufi, 1 rast të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit dhe 3 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror.
Po ashtu, është evidentuar edhe sekuestrimi i 3.200 farave kanabisi dhe pajisjeve të përdorura për kultivimin e tyre.
Gjatë kësaj periudhe janë vendosur edhe 3 masa administrative ndaj subjekteve dhe drejtuesve të mjeteve lundruese për shkelje të rregullave të sigurisë në det.
Në fokus të punës mbeten gjithashtu kontrollet e përbashkëta në kufirin tokësor dhe detar për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, kontrabandës dhe aktiviteteve të tjera kriminale ndërkufitare, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe partnerët ndërkombëtarë si Guardia di Finanza dhe Frontex.
Në total, gjatë muajit janë miratuar 701 leje qëndrimi, me një rritje prej 78 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa janë vendosur 26 masa administrative për shtetas të huaj për aplikime jashtë afateve ligjore.
©ZëriOnline


