Banorët e Durrësit dhe zonave përreth mund të përballen me ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë gjatë ditës së mërkurë, 10 qershor, për shkak të punimeve të planifikuara në sistemin energjetik.
Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës (SHRUKD) njofton se nga ora 08:00 deri në 16:00 do të stakohet stacioni i pompave në Fushë Kuqe, si pasojë e ndërhyrjeve që do të kryhen nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).
Sipas SHRUKD-së, ndërprerja e funksionimit të stacionit të pompave mund të sjellë probleme të përkohshme në furnizimin me ujë në qytetin e Durrësit dhe në disa zona rurale përreth.
Autoritetet sqarojnë se ndërhyrja është pjesë e punimeve të planifikuara në rrjetin energjetik dhe konsiderohet e domosdoshme për funksionimin e sistemit. Ndërkohë, qytetarëve u rekomandohet të marrin masat e nevojshme për të përballuar periudhën e mundshme të mungesës së ujit.

©ZëriOnline


