Goditen dy raste të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, sekuestrohen 2 armë, 1 granatë, 3 krehra armësh, qindra fishekë luftarakë dhe sasi lënde narkotike Cannabis Sativa.
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që përbëjnë rrezik për sigurinë publike duke poseduar ose shitur armë zjarri për qëllime kriminale, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Shijak, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Kalibri”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit:
- Lamberto Dinaj dhe Arsildo Marku, të dy banues në Lezhë, të cilët u kapën duke lëvizur me automjet në hyrje të qytetit të Durrësit. Ata dyshohet se po tentonin të shisnin një pistoletë, së bashku me 2 krehra dhe fishekë. Arma dhe municioni u gjetën në çantën e pasagjerit Lamberto Dinaj, të cilit iu gjet edhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
- Dervish Tusha, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij në fshatin Shtrazë, Shijak, iu gjetën 1 kallashnikov, 1 granatë mbrojtëse me ndezës të montuar, 1 krehër arme dhe qindra fishekë luftarakë, të cilat posedoheshin pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
©ZëriOnline


