Durrësi po përgatitet për një sezon të mbushur me aktivitete artistike, kulturore dhe sportive. Bashkia e Durrësit ka shpallur dhe publikuar projektet fituese të thirrjes për financimin e iniciativave në fushën e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit për vitin 2026, të cilat pritet të zhvillohen kryesisht gjatë muajve të verës dhe sezonit turistik.
Pas shqyrtimit të aplikimeve nga Këshilli Kulturor i zgjedhur me vendim të Këshillit Bashkiak nr. 18, datë 2 prill 2026, janë përzgjedhur 14 projekte që synojnë të gjallërojnë jetën kulturore të qytetit dhe të tërheqin vizitorë vendas e të huaj.
Lista e projekteve fituese përfshin:
• “Stinët e Muzikës”
• “Miss & Mister Durrësi/Turizmi”
• “Dorezat e Arta”, edicioni i 7-të
• “Durrës Maratonë”
• Festivali Ndërkombëtar “Vox Baroque”
• Festivali i 21-të Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës
• Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor
• “Shkodra Elektronike”
• “Trekëndëshi nga Guri në Konkrete”
• “Durrësi në Artet Figurative”
• “Mare Fest 2026”
• “Durrësi Qyteti i Dritave – Kultura në Projeksion”
• “Të Duam Durrës”
• “Twinkle on Tour 2026”
Mes projekteve që tërheqin më shumë vëmendje është koncerti i grupit të njohur shqiptar Shkodra Elektronike, i cili vitet e fundit ka fituar popullaritet të madh brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu në kalendar spikasin festivali ndërkombëtar i muzikës baroke “Vox Baroque”, një nga aktivitetet më jetëgjata të muzikës klasike në Shqipëri, si dhe Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, që këtë vit mbërrin në edicionin e 21-të.
“Durrës Maratonë” pritet të mbledhë qindra pjesëmarrës, ndërsa “Dorezat e Arta” rikthehet me edicionin e shtatë, duke promovuar sportin dhe talentet e reja.
Një tjetër aktivitet me traditë është “Miss & Mister Durrësi/Turizmi”, i organizuar nga aktivistja dhe poetja Myzejen Konduri.
Megjithëse Bashkia ka publikuar listën e projekteve fituese, deri tani nuk janë bërë publike emrat e organizatave, shoqatave apo individëve që kanë paraqitur dhe fituar secilin projekt. Në dokumentin zyrtar janë shpallur vetëm titujt e projekteve të përzgjedhura, ndërsa detaje të mëtejshme mbi fondet dhe organizatorët pritet të publikohen në vijim.
Përmes kësaj skeme mbështetjeje synohet edhe pasurimi i ofertës turistike gjatë sezonit veror.
©ZëriOnline


