Godina e Pallatit të Kulturës në Durrës, e cila mban brenda saj institucionin historik të teatrit “Aleksandër Moisiu”, vazhdon të jetë e rrethuar në proces rikonstruksioni. Në banerin zyrtar të varur në kantier nga investitori, Bashkia e Durrësit, shkruhet qartë: “Afati i ndërtimit të objektit: 12 muaj”. Megjithatë, në fund të qershorit të vitit 2026, ky afat ka skaduar plotësisht, ndërsa kantieri mbetet, duke shënuar një vonesë të dukshme 6-mujore për të cilën institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë asnjë shpjegim zyrtar.

Sipas të dhënave zyrtare të afishuara në këtë tabelë treguese, projekti mban emërtimin “Rikonstruksion i Pallatit të Kulturës” dhe financohet nga Bashkia e Durrësit. Vlera e përcaktuar e objektit është 488,709,669 lekë pa TVSH (shifër që me llogaritjen e TVSH-së arrin në afro 5.8 milionë euro).
Projekti mban firmën e studios “Michele Cro Arch.”, ndërsa mbikëqyrja e punimeve i është besuar kompanisë “Hyqdro-Eng Consulting” sh.p.k. Zbatimi i punimeve në terren po kryhet nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “G.P.G. Company” sh.p.k. dhe “Gjikuria” sh.p.k., me drejtues teknik inxhinierin Gëzim Dani.

Edhe pse afati 12-mujor ka kaluar, nuk ka asnjë njoftim publik që të sqarojë arsyet se pse salla dhe hapësirat e teatrit “Aleksandër Moisiu” nuk u janë dorëzuar ende artistëve. Në mungesë të transparencës, qytetarët dhe komuniteti i artit përballen me një kantier të rrethuar që mban të bllokuar qendrën kryesore kulturore të qytetit në mes të sezonit turistik veror, pa pasur asnjë datë të re se kur do të përfundojë realisht ky investim miliona eurosh.
Tejkalimi i afateve pa asnjë sqarim për publikun ngre pikëpyetje mbi monitorimin e kontratës dhe penalitetet që duhet të zbatohen ndaj kompanive për mosrespektim të grafikut të punimeve. Ndërsa baneri në kantier vazhdon të premtojë “12 muaj”, realiteti në terren tregon se dyert e teatrit “Aleksandër Moisiu” mbeten të mbyllura dhe afatet të shkelura. Nuk dihet deri kur.
©ZëriOnline


