Kuvendi del me deklaratë për vendimin e Hagës: Akt i padrejtë, nuk mund të zhbëhet sakrifica e UÇK-së

Date:

Share post:

Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar vendimin “thellësisht të padrejtë”.

Reagimi vjen pasi më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë shpalli fajtorë katër ish-drejtuesit e UÇK-së për disa akuza për krime lufte. Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Selimi me 13 vjet dhe Krasniqi me 25 vjet, duke u llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi Trupi Gjykues konstatoi se Prokuroria nuk kishte vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër një popullate civile.

Në qëndrimin e tij, Kuvendi shqiptar rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës dhe kundërshton çdo përpjekje që, sipas tij, mund të relativizojë këtë karakter të luftës.

“Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli”, thuhet në deklaratën e Kuvendit të lexuar nga Niko Peleshi, ku shprehey gjithashtu shqetësim për atë që e konsideron përdorim të “standardeve të dyfishta” në trajtimin e së kaluarës së rajonit.

Parlamenti shqiptar shprehet kundër çdo përpjekjeje që ia atribuon Serbisë dhe Rusisë për instrumentalizimin politik të procesit dhe për delegjitimimin e luftës së UÇK-së, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Në deklaratë shprehet solidaritet me Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj, si dhe me Thaçin, Veselin, Selimin, Krasniqin dhe familjet e tyre. Kuvendi deklaron gjithashtu bindjen në pafajësinë e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Kuvendi thekson se aktgjykimi nuk përbën fundin e procesit juridik dhe shpreh pritshmërinë që të ndiqen mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit.

Parlamenti shqiptar angazhohet gjithashtu që në forumet ndërkombëtare të ngrejë çështjen e krimeve të kryera nga regjimi serb i Slobodan Miloševićit në Kosovë dhe të kërkojë drejtësi për viktimat.

Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me koordinimin institucional me Kosovën. Kuvendi thotë se do të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës, ndërsa u bën thirrje qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të bashkërendojnë veprimet e tyre në rrugë institucionale.

Procesi gjyqësor ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kishte nisur më 3 prill 2023, ndërsa faza e paraqitjes së provave u mbyll në dhjetor 2025. Deklaratat përmbyllëse në këtë çështje u zhvilluan në shkurt 2026.

Deklarata e plotë e Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviçit. Pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit gjakatar serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.

Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.

Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit. Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.

Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševićit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.

E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.

Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që:

Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.

Të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës, dhe i bën thirrje të dyja Qeverive tona që gjithashtu të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.

spot_img

Artikuj të lidhur

Falsifikim dokumentesh për ndryshimin e emrit, pezullohen dy zyrtarë në Tiranë, shpallet në kërkim dhe një 41-vjeçar

Dy persona janë pezulluar nga detyra, ndërsa një 41-vjeçar është shpallur në kërkim, në kuadër të një operacioni...

Ndryshojnë kriteret e shpërblimit për sportistët e Teutës, vendimi u miratua me konsensus në Këshillin Bashkiak

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar me votat e këshilltarëve të shumicës dhe opozitës ndryshimet në vendimin për...

Tjetërsimi i pronave/ 1143 hektarë tokë, në pranga 2 ish-drejtorë të Kadastrës, juristi dhe biznesmeni në Fier

Një sipërfaqe prej 1143 hektarësh tokë, e dyshuar se është tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara, është sekuestruar nga...

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Walker: Ditë e kobshme. Ku ishte BE-ja kur serbët dhunonin shqiptarët?

Pas dënimit me 81 vite burg të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale, në një prononcim për Klan Kosova, diplomati amerikan...