Pas plagosjes së avokatit Elton Shllaku, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka vendosur të bojkotojë për dy orë seancat gjyqësore në Gjykatën e Durrësit.
Sipas vendimit të marrë këtë të mërkurë, avokatët do të ndërpresin pjesëmarrjen në seancat gjyqësore nga ora 08:00 deri në 10:00 gjatë ditës së nesërme, në shenjë proteste dhe solidariteti me kolegun e tyre.

Bojkoti do të prekë të dyja seksionet, civil dhe penal, të Gjykatës së Durrësit. Përjashtim do të bëjnë vetëm seancat që kanë për objekt shqyrtimin e masave të sigurimit.
Dhoma e Avokatisë Durrës bën me dije se, bazuar në informacionet e marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, dyshohet se plagosja e avokatit lidhet me një konflikt gjyqësor për pronësinë, që sipas Dhomës e lidh drejtpërdrejt ngjarjen me ushtrimin e detyrës së tij profesionale.
Në vijim të kësaj situate, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës do t’i drejtohet edhe Prokurorisë për zhvillimin e një hetimi të shpejtë, të plotë dhe gjithëpërfshirës, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore.
Kërkesë për informacion dhe marrjen e masave të nevojshme do t’i drejtohet edhe Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Ervin Hodajt.
Për situatën është njoftuar gjithashtu Dhoma e Avokatisë Tiranë, ndërsa çështja e sigurisë së avokatëve gjatë ushtrimit të detyrës pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.


