Një sipërfaqe prej 1143 hektarësh tokë, e dyshuar se është tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara, është sekuestruar nga Prokuroria e Fierit. Në kuadër të hetimit janë arrestuar dy ish-drejtorë të ASHK-së Fier, një jurist dhe një biznesmen. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe 150 mijë euro.
Në pranga kanë përfunduar Bardh Kapaj dhe Ertis Shehu, ish-drejtorë të Kadastrës Fier, juristi Piro Çela dhe biznesmeni Kastriot Hasko, i dyshuar si përfitues i pronave.
Hetimi, i nisur në vitin 2025, ka zbuluar sipas Prokurorisë një skemë për regjistrimin dhe më pas shitjen e sipërfaqeve të mëdha të tokës në zonat Seman i Ri dhe Sheq Marinas.
Si u tjetërsuan tokat?
Sipas Prokurorisë, Hasko ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, përmes të cilave ka regjistruar në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë rreth 1143 hektarë tokë.
Më pas, duke përdorur edhe një prokurë të posaçme të falsifikuar, ai dyshohet se është paraqitur si përfaqësues i bashkëpronarëve dhe ka shitur pronat te dy shoqëri të ndryshme.
Në këtë proces dyshohet se kanë ndihmuar edhe ish-drejtuesit dhe juristi i ASHK-së Fier. Sipas hetimeve, ata kanë regjistruar pronat pa kërkuar verifikimin e vendimeve të kthimit të pronës nga Agjencia e Trajtimit të Pronës. Një verifikim i tillë, sipas Prokurorisë, do të kishte zbuluar se dokumentet ishin të falsifikuara.
Bardh Kapaj dyshohet se, gjatë regjistrimit të njërës prej pronave, ka kaluar edhe sipërfaqen e përcaktuar në vendimin e falsifikuar, duke i mundësuar biznesmenit përfitimin e një tjetër sipërfaqeje toke.
Ndërkohë, Ertis Shehu dhe Piro Çela dyshohet se kanë ndryshuar kategorinë kadastrale të tokës nga “tokë arë” në “tokë pa frut”, pa aktet administrative të nevojshme.
76 pasuri të sekuestruara
Në total, Prokuroria ka vendosur sekuestro mbi 76 pasuri, me një sipërfaqe prej 11.437.056 metrash katrorë, ose rreth 1143 hektarë tokë, si dhe mbi shumën prej 150 mijë eurosh. Për katër të arrestuarit është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”. Ata dyshohen për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Hetimi vijon nga Prokuroria e Fierit në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore.
Tjetërsimi i pronave dhe konflikti mbi titujt e pronësisë në zonat bregdetare mbetet një fenomen i shfaqur në disa qarqe të vendit. Edhe në Durrës, një sërë çështjesh që lidhen me pronat dhe regjistrimin e tokave në zonat me potencial të lartë zhvillimi janë bërë objekt verifikimesh dhe hetimesh nga autoritetet. Rastet e dyshuara për falsifikim dokumentesh, regjistrime të paligjshme apo përfitim të pronave përmes dokumenteve të falsifikuara kanë qenë pjesë e disa procedimeve, duke e kthyer problematikën e pronës në një prej çështjeve të ndjeshme të zhvillimit të territorit në bregdet.


