Pas postimit të Kryeministrit Edi Rama, i cili publikoi fotografinë e një protestueseje duke e akuzuar për ndërtim pa leje brenda mureve të Kalasë së Durrësit, ka ardhur reagimi i urbanistes Entela Koja (Spahivogli), e cila i cilëson akuzat si shpifje dhe deformim të qëllimshëm të fakteve.

Në një reagim publik në rrjetet sociale, ajo thekson se objekti që Kryeministri e paraqet si “shtesë pa leje” është pjesë e një ndërtese të ndërtuar nga familjet Koja dhe Jakoel që në vitin 1941, me projekt dhe ndërtues italianë.
“Përpara se të shpifni, z. Kryeministër, verifikoni faktet. Objekti që ju paraqisni si ‘shtesë pa leje’ është pjesë e një ndërtese të ndërtuar nga familjet Koja dhe Jakoel që në vitin 1941. Historia e saj vërtetohet me dokumente ligjore e historike, fotografi, filma dhe dëshmi të kohës”, shkruan ajo.
Sipas urbanistes, ndërtesa në fjalë ka dokumentacion të plotë historik dhe ligjor, duke kundërshtuar pretendimet e Kryeministrit.


“‘Çibani’ që përmendni me përbuzje ka dokumente, pronësi, histori dhe kujtesë familjare. Nuk është shpikur sot, as për fushatë, as për përfitim”, shprehet ajo.
Duke iu referuar angazhimit të saj publik, Koja deklaron se nuk përfaqëson asnjë forcë politike dhe se qëndrimi i saj ka qenë kundër të gjithë establishmentit politik.
“Që nga dita e parë e kam thënë qartë: Rama në burg, Berisha në burg, poshtë diktatura, poshtë komunizmi. Nuk jam aty për parti. Jam aty si profesioniste për pronën, trashëgiminë, ligjin, për Durrësin, Tiranën dhe gjithë Shqipërinë”, thekson ajo.
Në reagimin e saj, urbanistja ndalet edhe te projekti TID Durrës, duke pretenduar se kundërshtimet ndaj saj lidhen me faktin se kjo çështje tashmë është bërë publike brenda dhe jashtë vendit.
“Problemi juaj i vërtetë nuk është ndërtesa ime. Problemi juaj është se projekti TID Durrës nuk mbeti më i fshehur. Sot kjo çështje është bërë publike në Shqipëri dhe ndërkombëtarisht, përfshirë në raportimet e World Heritage Watch dhe në qarqe të specializuara të trashëgimisë kulturore”, deklaron ajo.
Në përfundim, Koja akuzon Kryeministrin se po përdor sulme personale për të shmangur debatin mbi përgjegjësitë publike.
“Shpifjet nuk i ndryshojnë faktet. Propaganda nuk e fshin historinë. Dhe sulmet personale nuk e mbulojnë përgjegjësinë publike. Kaq e thjeshtë”, përfundon reagimi i saj.
©ZëriOnline


