Protestë kundër parkimit me pagesë në Durrës: Nuk zgjidhet problemi duke rënduar xhepat e qytetarëve

Date:

Share post:

Banorë të Durrësit u mblodhën pasditen e së shtunës para Bashkisë, në një protestë kundër vendosjes së parkimit me pagesë në rrugët e qytetit. Protesta u organizua pas një thirrjeje të shpërndarë në rrjetet sociale, ku qytetarët u ftuan të shprehnin kundërshtimin ndaj sistemit të ri të tarifimit që pritet të nisë zbatimin së shpejti.

Protestuesit kundërshtojnë zbatimin e parkimit me pagesë në rrugët e zonave A dhe B, ku Bashkia e Durrësit pritet të nisë së shpejti aplikimin e tarifave. Ndërkohë, Bashkia po vijon vijëzimin me ngjyrë blu të vendparkimeve përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, duke sinjalizuar se përgatitja e infrastrukturës është drejt fazës përfundimtare.

Sipas banorëve në protestë, vendosja e tarifave nuk do të zgjidhë problemin kronik të mungesës së vendeve të parkimit në Durrës. Ata argumentojnë se qyteti vazhdon të ketë mungesë të hapësirave publike për parkim, ndërsa transporti urban mbetet i pamjaftueshëm për të ofruar një alternativë reale për lëvizjen e përditshme.

“Nuk mund të kërkosh pagesë për një shërbim që nuk e ke zgjidhur më parë. Problemi nuk është se parkimi ka qenë falas, por se nuk ka vende ku të parkosh”, u shprehën disa prej pjesëmarrësve në protestë.

Sipas tyre, vendosja e parkimit me pagesë do të rëndojë më tej xhepin e familjeve, duke rritur kostot e përditshme të jetesës, pa sjellë një përmirësim të dukshëm në menaxhimin e trafikut apo të hapësirave publike.

Vendimi për parkimin me pagesë u miratua nga Këshilli Bashkiak i Durrësit dy vjet më parë. Ai parashikon një tarifë prej 100 lekësh në orë për parkimin në rrugët dhe sheshet publike të Zonës A, ndërsa për Zonën B tarifa është 40 lekë në orë. Bashkia argumenton se sistemi synon të vendosë më shumë rregull në administrimin e parkimit, ndërsa kundërshtarët e konsiderojnë atë një barrë të re financiare për qytetarët, në mungesë të investimeve të mjaftueshme në infrastrukturën e parkimit dhe transportin publik.

Protesta e së shtunës është reagimi i parë publik ndaj zbatimit të afërt të këtij vendimi dhe pritet të pasohet nga iniciativa të tjera, nëse Bashkia vijon me aplikimin e skemës së re të parkimit me pagesë.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Shefi i OpenAI pranon: “Bota ka të drejtë të ndiejë frikë nga ajo që mund të ndodhë”

Drejtori ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman thotë se publiku duhet të ketë më shumë besim te kompanitë e...

Alban Xhelili reagon pas prezantimit si drejtor i Postës në Durrës: “Një sfidë e re që e marr seriozisht…”

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alban Xhelili, ka nisur detyrën e re si Drejtor i Filialit të Postës Shqiptare...

Kosovë/Qytetarët kalojnë natën në shesh në pritje të vendimit për ish-krerët e UÇK-së

Nata në Prishtinë kaloi ndryshe. Pas mesnate, sheshi “Skënderbeu” vijoi të kishte qytetarë të mbledhur në pritje të...

SHBA konfirmon vendosjen e armëve në orbitë

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar për herë të parë publikisht se kanë vendosur armë në orbitë, një zhvillim...