Sipas Policisë së Durrësit, është finalizuar operacioni i koduar “The Hill 2”, në kuadër të goditjes së shpërndarjes së lëndëve narkotike në plazhe dhe zona të ndryshme të qytetit.
Në pranga kanë rënë Detar Rama, 33 vjeç, dhe Kadri Xhani, 27 vjeç, të dy banues në Durrës. Sipas policisë, ata dyshohet se vepronin në bashkëpunim për shitjen e kokainës dhe kanabisit.
Arrestimi i tyre u bë në fshatin Rrashbull, pas një operacioni të zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e të arrestuarve, policia sekuestroi mbi 100 doza kokainë dhe cannabis sativa, të ndara dhe gati për shitje, një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, një shkop bejsbolli, një thikë dhe tre telefona celularë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
©ZëriOnline


