SPAK kërkon ndërhyrje urgjente: Mbarimi i mandateve të prokurorëve mund të rrezikojë hetimet

Date:

Share post:

Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, i ka bërë thirrje Kuvendit të gjejë një zgjidhje ligjore për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar, duke paralajmëruar se mungesa e një mekanizmi të qartë mund të cenojë vijimësinë e hetimeve dhe të humbasë ekspertizën e ndërtuar ndër vite.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve për veprimtarinë e SPAK në vitin 2025, Braho tha se modeli aktual kushtetues, i cili parashikon mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi, ishte i përshtatshëm në fazën e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, por tashmë kërkon rivlerësim.

Sipas tij, përfundimi i mandateve nuk prek vetëm karrierën e prokurorëve, por rrezikon edhe ruajtjen e përvojës në hetimet komplekse, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Braho prezantoi edhe bilancin e SPAK për vitin 2025. Institucioni ka hetuar 871 procedime penale, 4.9% më shumë se një vit më parë, ndërsa 216 çështje janë përfunduar. Nga 294 procedime të reja, 209 janë nisur me iniciativën e vetë SPAK, një tregues që, sipas tij, dëshmon rritjen e hetimeve proaktive dhe mbështetjen më të madhe te analizat financiare, krahas referimeve dhe kallëzimeve.

Një tjetër ndryshim lidhet me përdorimin e masave të sigurimit. Sipas Brahos, arresti me burg po përdoret gjithnjë e më shumë si masë e fundit, ndërsa numri i rasteve ka rënë me 53.4%, nga 236 në vitin 2024 në 110 gjatë vitit 2025.

Drejtuesi i SPAK theksoi se korrupsioni mbetet një nga sfidat kryesore, ndërsa grupet e krimit të organizuar po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara, përfshirë komunikimet e enkriptuara, transaksionet informale dhe investimet në pasuri të paluajtshme.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Incidenti gjatë ekskursionit në Mal të Zi, lirohen 4 gjimnazistët e Durrësit

Katër gjimnazistë të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës janë lënë të lirë nga policia malazeze, pas...

Urdhri i dëbimit/ Shqiptari nga burgu federal në Brooklyn: “Ndoshta nuk do ta hap më atë derë”

Aleksandër Nilaj, shqiptari i ndaluar nga ICE, pas 20 vitesh në SHBA, ka publikuar ditët e fundit një...

Aksident në rrugën e Voskopojës, plagoset rëndë 41-vjeçari

Një 41-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi është përplasur nga një automjet në rrugën e Voskopojës. Raportohet se,...

Turqi/Arrestohet drejtuesi i Bursës së Stambollit, për transaksione të dyshimta

Një zhvillim i ri ka tronditur sektorin financiar në Turqi. Korkmaz Enes Ergun, drejtori i përgjithshëm i Bursës...