Italia heq kampusin “Tor Vergata” në Tiranë nga pranimet me “semestrin e hapur” të Mjekësisë

Date:

Share post:

Studentët që planifikonin të aplikonin për studime Mjekësie në kampusin e Universitetit “Tor Vergata” në Tiranë nuk do të kenë më mundësi ta zgjedhin atë përmes procedurës së re të pranimeve me “semestrin e hapur” në Itali.

Ministria italiane e Universitetit dhe Kërkimit (MUR) ka vendosur të përjashtojë 220 vendet e kampusit në Tiranë nga kjo procedurë, pas polemikave të krijuara vitin e kaluar lidhur me tarifat e larta të studimit.

Kjo do të thotë se studentët që do të aplikojnë përmes sistemit të “semestrit të hapur” nuk do ta gjejnë më Tiranën në listën e universiteteve ku mund të regjistrohen.

Megjithatë, kampusi i Universitetit “Tor Vergata” në Tiranë nuk do të mbyllet. Ai do të vazhdojë të funksionojë, por vendet e studimit do t’i dedikohen programit të Mjekësisë në gjuhën angleze. Pranimi në këtë program do të bëhet përmes testit ndërkombëtar IMAT (International Medical Admissions Test), i cili zhvillohet në gjuhën angleze dhe përdoret për përzgjedhjen e studentëve në programet “Medicine and Surgery” të universiteteve publike italiane.

Ndërkohë, Ministria italiane po negocion me universitetet për të rikuperuar 220 vendet e hequra nga kampusi i Tiranës, duke i shpërndarë ato në universitetet italiane. Qëllimi është që numri i përgjithshëm i vendeve të ofruara për studentët të mos ulet.

Polemikat për tarifat

Vendimi vjen pas debatit të krijuar vitin e kaluar, kur 220 studentë të caktuar për të ndjekur studimet në kampusin e Tor Vergata në Tiranë u njoftuan se duhej të paguanin një tarifë regjistrimi prej rreth 9 mijë eurosh në vit.

Pas reagimeve të shumta, ministrja italiane e Universitetit, Anna Maria Bernini, ndërhyri duke kritikuar universitetin për nivelin e lartë të tarifave dhe kërkoi pezullimin e tyre. Më pas u vendos që edhe studentët e regjistruar në Tiranë të paguanin tarifat sipas sistemit italian, të llogaritura mbi bazën e të ardhurave familjare (ISEE), një skemë që do të zbatohet gjatë gjithë ciklit të studimeve.

Mijëra studentë po përgatiten

Ndërkohë, rreth 18 mijë studentë janë regjistruar në platformën falas semestreaperto-medodovet.it, e krijuar për të ndihmuar kandidatët të përgatiten për semestrin e hapur në programet e Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Mjekësisë Veterinare.

Platforma është zhvilluar nga Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Italiane (CRUI), në bashkëpunim me Ministrinë italiane të Universitetit dhe Kërkimit dhe Konsorciumin Ndëruniversitar CISIA.

Autoritetet italiane kanë njoftuar gjithashtu se së shpejti do të lançohet edhe një platformë e dytë, e zhvilluar nga konferencat e përhershme të Mjekësisë dhe Stomatologjisë, për t’u ofruar kandidatëve materiale dhe mbështetje shtesë gjatë përgatitjes për procedurën e re të pranimeve.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Balluku e pandehur edhe për lotet e tjerë të Unazës së Madhe

Ish zv-kryeministrja Belinda Balluku rikthehet në dyert e SPAK më shumë se 9 muaj pasi u mor e...

Ilir Beqaj del nga burgu, kalon arrest shtëpie

Një nga dosjet më të bujshme të SPAK për abuzim me miliona euro fonde publike, nuk e mban...

Aksidentohet “Cekja” i Beratit, makina e tij përplaset me atë të klerikut bektashian

Një aksident rrugor ka ndodhur në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”, në kthesën e fshatit Hormovë. Automjeti që drejtohej nga aktori Sejfulla...

Sherr me sende të forta në Tepelenë, plagosen 3 persona

Një sherr i dhunshëm me sende të forta mes disa personave ka ndodhur pas mesnate në qytetin e...