Vijojnë gërmimet në varrin masiv në Zubin Potok, shkon në tre numri i të arrestuarve

Date:

Share post:

Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar një tjetër person të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok, në veri të vendit. Arrestimi vjen në kohën kur në fshatin Kalludër e Vogël vazhdojnë gërmimet forenzike pas zbulimit të mbetjeve njerëzore që dyshohet se lidhen me personat e zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Policia e Kosovës bëri të ditur se, me urdhër të Prokurorisë, është ndaluar një person me inicialet J.R., i dyshuar për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullsisë civile.

Sipas policisë, arrestimi është rezultat i hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedurave për zbardhjen e krimeve të luftës. Nuk janë dhënë detaje të tjera për identitetin apo rolin e të dyshuarit.

Me këtë arrestim, numri i personave të ndaluar në lidhje me rastin në Zubin Potok arrin në tre. Dy të arrestuarit e mëparshëm ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet vazhdojnë. Policia ka bërë të ditur më herët se ka siguruar prova që njëri prej tyre kishte qenë pjesë aktive e Ushtrisë Jugosllave.

Gërmimet në Kalludër e Vogël nisën në fillim të javës pas një hetimi që zgjati rreth dy vjet. Autoritetet kanë konfirmuar se mbetjet e gjetura në këtë zonë janë me origjinë njerëzore, por identifikimi i tyre do të bëhet vetëm pas analizave të ADN-së.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi një ditë më parë se procesi i gërmimeve mund të zgjasë për muaj për shkak të terrenit dhe mënyrës së shpërndarjes së mbetjeve. Ai tha gjithashtu se hapja e arkivave të Serbisë do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 personave që rezultojnë ende të zhdukur.

Sipas autoriteteve, është ende herët për të përcaktuar identitetin e viktimave të mundshme. Kurti ka deklaruar se ekziston dyshimi që mbetjet mund t’i përkasin një grupi prej 23 shqiptarësh të zhdukur në atë zonë gjatë vitit 1999, por theksoi se çdo përfundim do të varet nga rezultatet e analizave forenzike.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-1999, ndërsa 1.577 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Ministrja Klodiana Spahiu reagon për Erjon Vishkullin: “Operacioni në Romë i shpëtoi syrin të riut të plagosur në protestë”

Ministrja Klodiana Spahiu e ka cilësuar ditën si një ditë lajmesh të mira, duke lidhur miratimin në qeveri...

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...