Të privuar nga shumë kënaqësi të natyrës shqiptare. Sfida e Personave me aftësi të kufizuara në plazhet shqiptare. 

Date:

Share post:

Për shumicën e njerëzve, plazhi është vendi ideal për të shijuar pushimet verore, por për personat me aftësi të kufizuara, një ditë në bregdet është një sfidë e vërtetë. Çdo ditë në plazhet e Adriatikut, ata përballen me një realitet aspak miqësor dhe të papërshtatshëm për nevojat e tyre specifike. Jo vetëm vendasit. Situata është e njëjtë dhe për turistët e huaj që shfaqin shumë interes për të vizituar Shqipërinë dhe pushuar në vendin tonë, por kur interesohen me agjencitë e ndryshme sprapsen. 

“Interes ka, por nuk kemi kushte për ta. Operatorët turistikë duhet të mendojnë detyrimisht për këtë kategori pushuesish, turistësh”, tregon Arjana, sipërmarrëse dhe tur operator në Durrës.

Mungesa e infrastrukturës së duhur

Në Durrës, nënkryetari i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve, Sadik Sallaku, thekson problemet që hasin personat me aftësi të kufizuara gjatë pushimeve verore. Ai nënvizon mungesat e mëdha në infrastrukturën e ofruar nga operatorët turistikë, qoftë për turistët vendas apo ata të huaj. 

“Operatorët turistikë në bregdetin e Durrësit kanë mungesa të theksuara për sa i takon infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara, qofshin dhe turistë të huaj. Ne jemi në një bum turistik, por është shumë e vështirë të gjesh një hotel a vend për të pushuar që t’i ketë kushtet, duke nisur nga rampat që janë jashtë standardeve,” thotë Sallaku.

Përvojë personale

Fatjoni, një 47-vjeçar nga Durrësi, është një tjetër zë që përshkruan sfidat e përditshme me të cilat përballet. Ai kujton aksidentin rrugor që i ndryshoi jetën në moshën 18-vjeçare, duke e lënë të mbërthyer në një karrige me rrota. Sot, ai përballet me një infrastrukturë të pamjaftueshme dhe të pasigurt ndërsa të bërit plazh nuk është thjesht t’i shpëtosh vapës dhe argëtim, po një dobi për shëndetin e çdokujt.

“Nuk ka hyrje-dalje për invalidët. Nuk ka banjo. Për ne invalidët është skandal fare. Nuk hyj dot në det. Nuk ka kushte. Është e vështirë,” thotë Fatjoni, duke përshkruar vështirësitë që has në përpjekjen për të shijuar një ditë në plazh.

Edhe si pushues ditor në plazhet e Durrësit, ai, ashtu si Sadiku dhe shumë të tjerë varet gjithmonë nga njerëzit e dashur, që kujdesen për ta,

për të kaluar ndonjë ditë buzë detit, por pa u larë. 

“Zakonisht vij me mamin, babin. Gjithnjë me njerëz të tjerë. Prindërit ose vëllain, ose ndonjë shok,” shton Fatjoni. 

Po ashtu dhe Sadiku që në këtë rast është shoqëruar nga kushërira e tij që jeton në Itali ku ka studiuar për turizëm dhe thotë se situata është më miqësore për PAK pasi është një detyrim për subjektet të kenë infrastrukturën e posaçme.

Situata në Jug dhe Veriun malor

Në plazhet e jugut dhe atraksionet turistike të veriut, si dhe në destinacionet e tjera turistike në vend, situata është edhe më e keqe për PAK. Infrastrukturat në këto zona janë edhe më të kufizuara dhe të papërshtatshme, duke e bërë të pamundur për personat me aftësi të kufizuara të shijojnë natyrën dhe turizmin që këto vende ofrojnë. Mungesa e rampave, banjove të përshtatshme dhe aksesit të lehtë në plazhe, apo shëtitje malore e përkeqëson më tej përvojën e tyre turistike.

Përmirësime, por të pamjaftueshme

Edhe pse në Durrës e Golem ka pasur disa përmirësime gjatë këtij sezoni turistik, sipas Sadik Sallakut, ato janë ende larg asaj që kërkohet dhe të pamjaftueshme për të adresuar nevojat e personave me aftësi të kufizuara.

“Ka akoma shumë punë për t’u bërë me infrastrukturën, me përshtatshmërinë dhe aksesueshmërinë e plazheve për personat me aftësi të kufizuara,” vëren Sallaku.

Nevoja për angazhim dhe përkushtim

Për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, pushimet në plazh mbeten një sfidë e vazhdueshme, që kërkon angazhim dhe përkushtim nga ana e operatorëve turistikë dhe institucioneve përgjegjëse. Është e nevojshme që plazhet e sezonet e ardhshme të jenë të aksesueshme për të gjithë, duke siguruar një eksperiencë të barabartë dhe të kënaqshme për të gjithë pushuesit.

Vali Qyrfyçi

©️zërionline

spot_img

Artikuj të lidhur

Greqi/ 3 të rinj nga Fieri humbin jetën në një aksident tragjik

Tre të rinj nga Fieri kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një...

Renditja e Eurostat/Shqipëria e dyta në Europë për vështirësitë ekonomike

“Duke menduar për të ardhurat totale të familjes suaj, a është familja në gjendje të mbyllë muajin, pra...

Sherr mes të rinjve në Sarandë, 3 të plagosur me thika! Arrestohen 3 autorët e dyshuar

Janë publikuar pamjet nga konflikti i ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 të Sarandës, pranë hyrjes...

Pas plagosjes së avokatit në Durrës, Dhoma e Avokatisë do të bojkotojë nesër gjykatën për dy orë

Pas plagosjes së avokatit Elton Shllaku, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës ka vendosur të bojkotojë për dy orë...