Planifikoi sulm terrorist në Itali, arrestohet 22-vjeçari shqiptar

Date:

Share post:

Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi dyshohet se po përgatiste një sulm në qendrën tregtare Adigeo në Verona.

I riu u ndalua më 10 gusht në aeroportin e Trevisos, menjëherë pasi mbërriti nga Tirana së bashku me prindërit. Pas ndalimit, ndaj tij u mor masa e dëbimit nga Italia për arsye të sigurisë kombëtare.

Sipas mediave italiane, hetimet kishin zbuluar një sërë aktivitetesh online që ngritën dyshime për radikalizimin e 22-vjeçarit. Ai raportohet se kishte kërkuar informacione dhe materiale për prodhimin e bombave artizanale.

Hetuesit dyshojnë gjithashtu se i riu kishte kontakte me persona të lidhur me fondamentalizmin islamik dhe se kishte shqyrtuar mundësinë për të udhëtuar drejt territoreve të kontrolluara nga ISIS. Një tjetër element i evidentuar gjatë hetimit lidhet me hapjen e një llogarie bankare që do të përdorej për transferimin e fondeve.

Rasti ka marrë vëmendjen e “Corriere del Veneto”, e cila e ka analizuar edhe në raport me fenomenin e radikalizimit në Shqipëri.

Gazeta italiane e nis analizën duke iu referuar kriptovalutave, luftëtarëve në Siri dhe pozicionit të Shqipërisë në portat e Europës, ndërsa thekson se vendi nuk lidhet zakonisht me format e terrorizmit xhihadist që kanë goditur disa qytete europiane gjatë dekadës së fundit.

Për ish-profesorin e Sociologjisë në Universitetin e Padovës Vincenzo Pace, rasti i 22-vjeçarit përbën një përjashtim.

“Ky është një rast jashtëzakonisht i rrallë radikalizimi shqiptar”, deklaroi ai për gazetën.

Ish-profesori argumenton se tradita islame në Shqipëri është historikisht e ndryshme nga format e ekstremizmit fetar, duke kujtuar gjithashtu periudhën e diktaturës komuniste, kur praktikimi i fesë ishte ndaluar.

“Në Shqipëri nuk ëndërrojnë për një shtet islamik”, shprehet Pace, teksa shton se nuk mund të përjashtohen raste të izoluara të individëve që radikalizohen përmes internetit.

Sipas mediave italiane, pikërisht interneti dyshohet se ka luajtur rol kryesor në radikalizimin e 22-vjeçarit. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, ai është dëbuar nga Italia për arsye të sigurisë kombëtare.

©ZëriOnline

spot_img

Artikuj të lidhur

Ministrja Klodiana Spahiu reagon për Erjon Vishkullin: “Operacioni në Romë i shpëtoi syrin të riut të plagosur në protestë”

Ministrja Klodiana Spahiu e ka cilësuar ditën si një ditë lajmesh të mira, duke lidhur miratimin në qeveri...

Gjendet i pajetë shqiptari 31-vjeçar në Itali, trupi u zbulua në një pus 10 metra të thellë

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit shqiptar Denaldo Maxhallaku është gjetur në fund të një pusi rreth 10 metra...

Erion Veliaj transferohet në burgun e Fierit, 2 ditë pasi mbështeti protestat studentore në Serbi

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar në paraburgimin e Fierit. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që...

Protesta e djeshme para Ministrisë së Arsimit, arrestohet 27-vjeçari dhe 49-vjeçarja

Dy protestues janë arrestuar nga Policia e Tiranës lidhur me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme përpara Ministrisë...