Është hapur një fushatë në GoFundMe për familjen e 41-vjeçarit Vasil Hasani, i cili humbi jetën në një aksident të rëndë rrugor në aksin Shkozet-Shijak.
Vasili, baba i tre fëmijëve të mitur, po kthehej në shtëpi pas punës mëngjesin e së premtes. Ai po lëvizte me biçikletë në zonën e Rrashbullit, kur rreth orës 02:00 u përplas nga një automjet.
Sipas familjarëve, drejtuesi i mjetit nuk ndaloi pas përplasjes, por u largua nga vendi i ngjarjes, duke e lënë 41-vjeçarin të shtrirë në rrugë.
Për rreth katër orë, 41-vjeçari mbeti i shtrirë në rrugë, pa ndihmë. Rreth orës 06:00, një kalimtar e gjeti dhe njoftoi autoritetet. Por për 41-vjeçarin ishte tepër vonë.
Vasil Hasani la pas bashkëshorten dhe tre fëmijët e mitur, Vjolnin, Klajdën dhe Ermalin. Edhe prindërit e tij janë të moshuar, ndërsa familja tashmë përballet me një humbje të rëndë dhe vështirësi të mëdha.
Përmes fushatës së hapur në GoFundMe kërkohet mbështetja e të gjithë atyre që kanë mundësi të ndihmojnë familjen Hasani.
Çdo kontribut, sado i vogël, mund të jetë një ndihmë e madhe për tre fëmijët që kanë humbur babanë dhe për familjen që sot përballet me një realitet të vështirë.
©ZëriOnline


