Nga gëzimi i një fejese, në dhimbjen e një familjeje që sot dha lamtumirën më të rëndë. 25-vjeçarja nga Durrësi, Ana Dyrmishi, që u nda nga jeta më 26 gusht në Turqi ku u dërgua, e djegur rëndë në zjarrin e hotelit “Brooklyn” në Vlorë, u përcoll sot për në banesën e fundit.

Ana Dyrmishi kishte shkuar në Vlorë së bashku me të fejuarin e saj, Arnaldo Kaçorrin, për të festuar ditën e parë zyrtare të fejesës. Por festa u kthye në tragjedi, kur në orët e para të mëngjesit të 16 gushtit, zjarri përfshiu hotelin ku ata po qëndronin.
Gjashtë persona mbetën të plagosur, ndërsa Ana pësoi djegie në rreth 85 për qind të trupit. Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ajo u dërgua në Turqi për mjekim të specializuar me mbështetjen e shtetit shqiptar dhe kontributit të deputetes së Durrësit Klodiana Spahiu.
Por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 25-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë në spital.
Edhe i fejuari i saj, pësoi plagë nga zjarri që ra në hotel dhe është dërguar në Itali për trajtim të specializuar.
Sot, familjarët, të afërmit dhe miqtë e përcollën Anën për në banesën e fundit. Një histori që nisi me ëndrra dhe gëzimin e një fejese, u mbyll në mënyrën më tragjike.
©ZëriOnline


