Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa identifikimi i Rizait u bë pas analizimit të pamjeve filmike nga policia, të cilat autoritetet arritën t’i shqyrtonin vetëm gjatë orëve të pasdites.
Sipas mediave greke, Rizai ndodhej në leje nga Burgu i Domokos, ku duhet të rikthehet mëngjesin e së hënës. Në rast se nuk paraqitet në burg, ai do të shpallet i arratisur, ndërsa policia greke ka nisur mobilizimin për lokalizimin e tij.
Sipas mediave greke, policia mori një telefonatë për të shtëna në zonën e Anavyssos rreth orës 05:15 të mëngjesit. Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, nuk gjetën persona, por vetëm dy gëzhoja dhe njolla gjaku.
Pak më vonë, policia u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Kalivias se dy persona ishin paraqitur për ndihmë mjekësore. Bëhet fjalë për një 20-vjeçar grek, i cili kishte marrë një plagë nga fragmentet e xhamit në kyçin e këmbës, dhe një 41-vjeçar pakistanez, i cili kishte marrë një plagë plumbi në pulpë.
Të dy rezultuan të ishin punonjës të biznesit dhe u morën në pyetje nga autoritetet. Megjithatë, sipas policisë, dëshmitë e tyre nuk përputheshin me njëra-tjetrën, ndërsa versione të ndryshme për ngjarjen ka dhënë edhe pronari i lokalit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjithçka nisi pasi shumica e klientëve ishin larguar nga lokali dhe pronari kishte ulur muzikën. Në atë moment, Rizai, i cili ndodhej aty së bashku me dy persona të tjerë, doli në parking dhe vendosi muzikë me zë të lartë në automjetin e tij.
Pronari i biznesit doli jashtë dhe i kërkoi ta ulte zërin, pasi kishte frikë se zhurma mund të shkaktonte ndërhyrjen e policisë. Situata më pas u përshkallëzua në një konflikt, ku u përfshinë edhe persona të tjerë që dolën nga lokali.
Gjatë përplasjes, Rizai dyshohet se nxori një armë dhe qëlloi në ajër. Më pas, edhe një shtetas afgan, i cili kishte dalë nga lokali dhe dyshohet se punonte si pjesë e sigurisë së biznesit, hapi zjarr.
Nga të shtënat, plumbat dyshohet se kanë bërë rikoshet dhe kanë plagosur dy punonjësit e lokalit.
Pas incidentit, Alket Rizai dhe dy personat që e shoqëronin hipën në automjet dhe u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Edhe shtetasi afgan, i cili tashmë është në kërkim nga autoritetet greke, u largua.
Ndërkohë, pronari i biznesit është arrestuar deri më tani, pasi dyshohet se ka dhënë deklaratë të rreme në lidhje me rrethanat e incidentit.
Ngjarja ka vënë në lëvizje policinë greke, e cila po kërkon të lokalizojë Rizain përpara përfundimit të lejes së tij dhe rikthimit të parashikuar në burgun e Domokos.


