Ron Koka, i njohur si djali i biznesmenit Leonard (Nar) Koka dhe nipi i ish-ministrit Lefter Koka, i ka dhënë fund beqarisë duke kurorëzuar në martesë lidhjen e tij me partneren e tij, Suela Molla. Çifti ka organizuar një dasmë mjaft luksoze në një nga sallat më elegante të eventeve në qytetin bregdetar, e cila ka mbledhur bashkë familjarë, miq dhe personazhe të njohur.

Ron Koka është një emër mjaft i përfolur në qytetin e Durrësit, ku ka shërbyer më parë edhe si këshilltar bashkiak. Ai ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes së mediave rozë edhe për shkak të jetës së tij private dhe romancave të përfolura me personazhe të njohur të showbiz-it shqiptar, si Kiara Tito. Atmosfera festive e dasmës ka qenë kryefjala e fundjavës, duke u komentuar gjatë për detajet dhe elegancën e saj.

Megjithatë, kjo festë familjare është shoqëruar edhe me një zhvillim tjetër të papritur nga kronika e zezë. Vetëm një ditë para ceremonisë martesore, vëllai i dhëndrit, 30-vjeçari Haki Koka, u arrestua nga policia. Gjatë operacionit të koduar “Informacioni”, efektivët e policisë e kapën atë në flagrancë në një apartament me qira në lagjen 11, Durrës, ku iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë pa leje dhe municione luftarake, duke bërë që ai të përballet me akuzën e armëmbajtjes pa leje.
©ZëriOnline


