GJKKO ka caktuar masën arrest me burg ndaj ish-efektivit të Policisë, Uljan Shpataraku, i cili u arrestua më 26 gusht në Durrës me Ergys Agasin, për akuzën “përkrahje e autorit të krimit”. Ai drejtonte makinën në pronësi të tij, një Audi Rs2, gati 100 mijë euro, e cila u sekuestrua.
Shpataraku mbrohet nga avoakti Elton Hyseni, ndërsa SPAK përfaqësohet nga prokurori Bledar Maksuti.
Nga kontrollet në banesën e ish-zyrtarit të lartë të policisë, të njohur si krahu i djathtë i ish-drejtorit të Policisë, Ilir Proda, policia gjeti një arsenal armësh, 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë, të cilat i janë sekuestruar.

Uljan Shpataraku ishte në kërkim policor për një episod banal me stafin e një hoteli ku qëndronte për pushime këtë verë në Dhërmi, por ishte suprizë kapja e tij, në krah të të shumëkërkuarit të SPAK.
Para episodit të Dhërmiut kur kërcënoi stafin se nuk i pëlqeu shërbimi, kryepolici Skënder Hita e përjashtoi nga detyra Shpatarakun pas një kohe të gjatë që nuk paraqitej në punë.
Po ashtu, për Uljan Shpatarakun ka indicie se ka pasur precedent penal në të kaluarën jashtë vendit, që nuk i ka deklaruar kur është bërë pjesë e uniformave blu, por që kërkon një hetim të thelluar nga autoritetet.
Vetëm një ditë më parë, në një seancë të ndarë nga Shpatarku, GJKKO la në qeli biznesmenin Ergys Agasi. Ai u arrestua pas 8 muajsh arrati dhe në seancë mohoi 7 akuzat e rënda të ngritura nga SPAK, duke pretenduar se kurrë nuk ka përfituar nga tenderët publikë dhe as nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale.
©ZëriOnline


