30 gushti solli një panoramë të tensionuar ndërkombëtare, nga lufta në Ukrainë dhe dhuna në Gaza, te vendimi i Islandës për të mos rifilluar negociatat me Bashkimin Europian dhe një marrëveshje e re energjetike mes SHBA-së dhe Venezuelës.
Lufta në Ukrainë vijon të jetë një nga lajmet kryesore të ditës. Bilanci i një sulmi rus në rajonin e Kievit është rritur në 38 viktima, ndërsa 20 persona janë plagosur dhe katër të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Sulmi goditi një objekt ku ruheshin municione në fshatin Myla, në perëndim të Kievit. Pas goditjes, shpërthimet e municioneve shkaktuan një zjarr të madh dhe dëmtuan edhe ndërtesa civile. Autoritetet ukrainase kanë nisur një hetim për mënyrën e ruajtjes së municioneve.
Ndërkohë, Moska ka paralajmëruar për “sulme masive” ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke rritur shqetësimet për një dimër të vështirë për vendin. Paralajmërimi vjen pas sulmeve ukrainase me dronë ndaj objektivave energjetike dhe industriale në territorin rus.
Islanda i thotë “jo” rifillimit të negociatave me BE-në
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm vjen nga Europa.
Votuesit në Islandë kanë refuzuar rifillimin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Sipas rezultateve zyrtare, 52.8% votuan kundër, ndërsa 47.2% në favor të rifillimit të bisedimeve.

Rezultati përbën një goditje për përpjekjet për zgjerimin e BE-së. Kundërshtarët e anëtarësimit argumentuan se negociatat mund të rrezikonin sovranitetin e vendit dhe veçanërisht kontrollin mbi industrinë e peshkimit.
Islanda, megjithatë, do të vazhdojë të ketë lidhje të ngushta me Bashkimin Europian përmes Zonës Ekonomike Europiane dhe zonës Schengen.
Vendimi islandez vjen në një moment kur zgjerimi i BE-së është rikthyer fuqishëm në axhendën europiane, ndërsa vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, vijojnë procesin e integrimit.
Gaza, një tjetër fëmijë mes viktimave
Në Lindjen e Mesme, armëpushimi nuk ka sjellë përfundimin e plotë të dhunës.
Një sulm ajror izraelit në Deir al-Balah, në qendër të Rripit të Gazës, ka vrarë dy palestinezë, mes tyre një fëmijë trevjeçar. Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, sulmi ka plagosur edhe disa persona të tjerë.
Ushtria izraelite deklaroi se objektivi ishte një militant i Hamasit. Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gaza, më shumë se 1,300 palestinezë janë vrarë që nga vendosja e armëpushimit në tetor 2025.
Trump: Nafta venezueliane do të mbushë rezervat strategjike amerikane
Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump ka njoftuar se nafta venezueliane do të përdoret për të rimbushur Rezervën Strategjike të Naftës së SHBA-së.
Trump deklaroi se procesi do të nisë së shpejti, duke e cilësuar naftën si një “dhuratë” nga Venezuela për popullin amerikan. Rezerva strategjike amerikane është aktualisht në nivele shumë të ulëta krahasuar me dekadat e mëparshme.
Zhvillimi shënon një lëvizje të rëndësishme në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit dhe mund të ketë pasoja edhe në tregjet globale të energjisë.
Nga lufta në Ukrainë te tensionet në Gaza, nga debati për zgjerimin e BE-së te energjia, këto janë disa prej zhvillimeve që po formësojnë agjendën ndërkombëtare këtë fundgusht.
©ZëriOnline


