Rritja e çmimit të biletave të trageteve dhe linjat e lira ajrore kanë sjellë rënie të numrit të udhëtarëve në portin detar të Durrësit. Gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti, nga porti detar i Durrësit, sipas të dhënave të Autoritetit Portual Durrës, kanë hyrë në vendin tonë mbi 177 mijë persona dhe kanë dalë afro 175,500 persona. Vetëm në gusht, nga kjo pikë kufitare, kanë hyrë 148 mijë udhëtarë me tragetet e linjës, shumica anëtarë të diasporës shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe shumë shtetas të huaj që këtë verë zgjodhën vendin tonë për të pushuar.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vihet re një rënie e numrit të udhëtarëve nga porti më i madh i vendit. Kjo vjen për shkak të rritjes së çmimeve nga kompanitë e lundrimit dhe çmimeve më të favorshme që ofron transporti ajror me linjat low cost, si dhe kohës së reduktuar në udhëtim. Për ata që udhëtojnë me automjete drejt Shqipërisë dhe në kthim drejt porteve italiane të Barit dhe Ankonës, lëvizja me tragete është një mundësi e mirë për të shkurtuar rrugën, ndërsa lundrimi me traget ofron edhe një përvojë të bukur për udhëtarët e grupmoshave të ndryshme që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit turistik dhe përgjatë të gjithë vitit.
Ndërkohë, nga Kapiteneria e Portit Detar të Durrësit bëhet me dije se gjatë 24 orëve të fundit në port kanë mbërritur me 3 tragetet e linjës 800 pasagjerë dhe 327 automjete, si dhe janë larguar 2,300 persona dhe 667 automjete.
©️zërionline


