Sulmi me armë ndaj familjes së kthyer nga Italia, detajet e plota; Policia gjen të djegur automjetin e autorëve

Date:

Share post:

Një automjet i parkuar në oborrin e një banese është qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në fshatin Urakë të Matit, ndërsa rreth dy kilometra larg vendit të ngjarjes policia ka gjetur një makinë të djegur, brenda së cilës ndodheshin dy armë zjarri kallashnikov.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi më 12 shtator, rreth orës 23:10, ndërsa persona ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të “Audi”-t, i cili ndodhej i parkuar në oborrin e banesës. Automjeti ishte në pronësi të shtetases S. Ll., bashkëshortja e shtetasit A. Ll.

Mësohet se nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas të dhënave paraprake, familja ishte kthyer së fundmi nga Italia.

Pas njoftimit për të shtënat, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me DVP Dibër, ngritën pika kontrolli për lokalizimin e autorëve.

Gjatë kontrolleve në territor, rreth dy kilometra larg vendit ku ndodhi sulmi, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, policia konstatoi një automjet tip “Golf 5” të djegur.

Nga këqyrja e makinës u gjetën në brendësi të saj dy armë zjarri kallashnikov, pjesërisht të djegura. Armët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Verifikimet zbuluan gjithashtu se “Golf”-i i djegur rezultonte i shpallur në kërkim nga DVP Elbasan që prej 31 korrikut 2025. Pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, kishte denoncuar në atë kohë vjedhjen e automjetit.

Policia po vijon kontrollet në zonat ku dyshohet se mund të kenë lëvizur autorët, ndërsa për kapjen e tyre po bashkëpunohet edhe me strukturat policore të Tiranës, Lezhës dhe Kukësit.

“Më datë 12.09.2026, rreth orës 23:10, në fshatin Urakë, Njësia Administrative Rukaj, Bashkia Mat, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll. (bashkëshortja e shtetasit A. Ll.), i parkuar në oborrin e banesës.

Nga të shtënat janë shkaktuar dëmtime materiale vetëm në automjetin tip “Audi”.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me DVP Dibër, ngritën pika kontrolli.

Ndërkohë, në vendngjarje shkoi grupi hetimor.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, rreth 2 kilometra larg nga vendi i ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, kanë konstatuar të djegur një automjet tip “Golf V”. Gjatë këqyrjes së automjetit, në brendësi të tij janë gjetur dy armë zjarri kallashnikov, të djegura pjesërisht, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Golf”, i konstatuar i djegur, ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan më datë 31.07.2025, pasi kishte bërë kallëzim pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, se i kishin vjedhur këtë automjet.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në zonën ku mund të kenë lëvizur autorët e dyshuar dhe po bashkëpunohet me DVP Tiranë, Lezhë e Kukës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.”, njofton policia.

spot_img

Artikuj të lidhur

Përmbytjet në Elbasan, nis verifikimi i dëmeve

Katër grupe pune kanë nisur ditën e sotme verifikimin dhe inventarizimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i...

Pas ditëve të tëra luftë me flakët, shuhen vatrat në vend! Asnjë aktive në të gjithë territorin

Sot është dita e parë pa asnjë zjarr. 10 vatra janë shuar, ndërsa nuk raportohen as aktive dhe...

Nuk ka ‘fund’ droga e sekuestruar e ‘të tmerrshmit të Beratit’, gjenden edhe 26 kg kokainë në banesën e Lulzim Cakës, vendi ku e...

Një tjetër sasi lënde narkotike, që dyshohet se është e së njëjtës linjë me atë të sekuestruar më...

Shkodër, Shpërthim me lëndë plasëse në oborrin e një banese

Një shpërthim i vogël është regjistruar mbrëmjen e sotme në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër. Sipas informacionit paraprak të...