Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alban Xhelili, ka nisur detyrën e re si Drejtor i Filialit të Postës Shqiptare në Durrës.
Xhelili është prezantuar zyrtarisht dje në këtë funksion nga Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj. Pas prezantimit, ish-deputeti ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë mesazhin e tij të parë në drejtimin e institucionit.

Xhelili shprehet se e nis detyrën me përkushtim dhe me synimin që Posta Shqiptare në Durrës të ofrojë një shërbim më efikas dhe më pranë qytetarëve.
“Së bashku me stafin do të punojmë për të përmirësuar shërbimin, për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të ndërtuar një standard të ri pune, me korrektësi dhe përgjegjshmëri”, shkruan ai.

Duke e cilësuar detyrën si një përgjegjësi të re, Xhelili thotë se sfidën e merr me seriozitet, duke vendosur në fokus përmirësimin e shërbimit dhe marrëdhënien e institucionit me qytetarët.
“Një detyrë e re, një përgjegjësi e re, por mbi të gjitha një sfidë që e marr me shumë seriozitet”, shprehet Xhelili në reagimin e tij.
Alban Xhelili ka qenë deputet i Partisë Socialiste dhe ketë herë kthehet në një funksion drejtues në administratën publike, në krye të filialit të Postës Shqiptare në Durrës.


