Dy persona janë arrestuar në Lushnjë, pasi dyshohet se shpërndanin doza kokaine në zona të ndryshme të qytetit. Në pranga kanë përfunduar Eduart Sharka, 31 vjeç, dhe Skerdilajd Gjoni, 39 vjeç.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit policor të koduar “Motoristi”, i finalizuar pas disa muajsh hetime nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale.
Sipas Policisë, 31-vjeçari Eduart Sharka dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës, duke përdorur motomjetin me të cilin punonte për shpërndarjen e porosive ushqimore.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, efektivët gjetën 318 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, një grirëse për bimë narkotike dhe tre celularë.
Në kuadër të të njëjtit operacion u arrestua edhe 39-vjeçari Skerdilajd Gjoni, i cili, sipas Policisë, dyshohet gjithashtu se shiste doza kokaine në Lushnjë. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet policore gjetën një sasi tjetër lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe tre celularë.
Në total, Policia njoftoi se gjatë operacionit u sekuestruan rreth 320 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, municion luftarak, një peshore elektronike, një grirëse për bimë narkotike dhe gjashtë celularë.
Operacioni “Motoristi” u zhvillua pas disa muajsh hetime të kryera me metoda proaktive për dokumentimin e aktivitetit të dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Lushnjës.
Policia bën të ditur se puna vijon për dokumentimin e plotë të veprimtarive të dyshuara kriminale të dy të arrestuarve, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


