Rreth 91 kilogramë kanabis, që dyshohet se kishin si destinacion Greqinë, janë sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës.
Lënda narkotike ishte ndarë në 88 pako dhe ishte fshehur në dyshemenë e një furgoni. Në pranga kanë përfunduar drejtuesi i mjetit dhe bashkëshortja e tij.
Sipas Policisë, furgoni që po dilte nga Shqipëria është përzgjedhur për kontroll të detajuar bazuar në analizën e riskut. Mjeti është kontrolluar fillimisht në skaner dhe më pas në vijën e dytë nga shërbimet e Policisë Kufitare.
Gjatë kontrollit të imtësishëm, efektivët kanë zbuluar poshtë shtresës së dyshemesë së furgonit 88 pako, brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.
Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë drejtuesi i furgonit, Klejdi Agalliu, 28 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, Bukurije Agalliu, 25 vjeçe. Sipas Policisë, të dy janë banues në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasia e lëndës së dyshuar narkotike dhe furgoni i përdorur për transportin e saj.
Hetimet vijojnë nga strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me drejtoritë e tjera vendore të Policisë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari.
“Falë kontrolleve të shtuara nga Policia Kufitare bazuar në analizën e riskut, parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.
Gjatë kontrolleve intensive, me përdorimin e mjeteve logjistike bashkëkohore, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në brendësi të një furgoni rreth 88 pako me lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.
Vihet në pranga drejtuesi i furgonit dhe pasagjerja, bashkëshortë me njëri-tjetrin.
Shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe i intensifikimit të kontrolleve bazuar në analizën e riskut në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, kaluan për kontroll të detajuar në skaner dhe më pas në vijën e dytë, në dalje të RSh-së, furgonin që drejtohej nga shtetasi K. A..
Nga kontrolli i imtësishëm, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura, në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e furgonit, poshtë shtresës së saj, rreth 88 pako, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar cannabis, me peshë totale rreth 91 kilogramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit K. A., 28 vjeç, dhe B. A., 25 vjeçe, të dy banues në Tiranë, bashkëshortë me njëri-tjetrin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 91 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis dhe furgoni.
Strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVP-të e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.”, njofton policia.


