Një shtetas shqiptar rezulton mes dy personave të plagosur rëndë gjatë sulmit me thikë të ndodhur pas mesnatës në zonën e Lavrios në Athinë.
Bëhet fjalë për 33-vjeçarin Klevis Tite, partnerin aktual të një 32-vjeçareje, e cila u sulmua gjithashtu nga ish-partneri i saj, një shtetas rumun 32 vjeç.
Ngjarja ndodhi rreth 15 minuta pas mesnatës së të enjtes. Sipas të dhënave të publikuara, 32-vjeçari shkoi në banesën e ish-partneres dhe hyri me forcë brenda, pasi theu me çekiç xhamin e derës.
Pas një debati me ish-partneren dhe 33-vjeçarin shqiptar, ai i sulmoi të dy me thikë.
Klevis Tite dhe 32-vjeçarja morën plagë të rënda dhe u transportuan në spitalin Asklepieion në Voula. Për shkak të gjendjes më të rënduar, gruaja u transferua më pas në spitalin Evangelismos.
Në momentin e sulmit, brenda banesës ndodheshin edhe dy fëmijët e mitur të 32-vjeçares dhe ish-partnerit të saj, të moshës 1 dhe 2 vjeç.
Sipas informacioneve të publikuara për ngjarjen, fëmijët u zgjuan gjatë përleshjes dhe më pas dolën të frikësuar nga banesa.
Pas sulmit, policia e shoqëroi 32-vjeçarin rumun në Departamentin e Hetimit të Krimeve në Lavreotiki, ku e arrestoi për tentativë vrasjeje.
Të dhënat për autorin tregojnë se ish-partnerja e kishte kallëzuar pesë herë më parë për raste të dhunës në familje.
Më 3 shtator 2026, rreth një muaj para sulmit ndaj ish-partneres dhe Klevis Tites, autoritetet e kishin arrestuar 32-vjeçarin edhe për armëmbajtje pa leje.


