Zjarri i rënë që prej mbrëmjes së së enjtes në malin e Manatisë, pranë aksit të vjetër Lezhë-Milot, vijon të jetë aktiv edhe gjatë mëngjesit të sotëm. Era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në terren, ndërsa forcat zjarrfikëse janë vendosur në pozicionet pranë banesave, për të parandaluar afrimin e zjarrit.
Që prej orës 08:00 ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter, në përpjekje për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit. Kryebashkiaku Pjerin Ndreu u ka bërë apel qytetarëve që të mos ndezin zjarre pasi mungesa e reshjeve ka krijuar kushte për favorizimin e tyre. Ndreu thekson se dëmi që mund të vijë nga pakujdesia apo qëllimisht mund të përshkallëzojë në rrezik për banesat dhe jetën e njerëzve.
Edhe vatra e zjarrit në Gramëz të Krujës që zbriti deri në aksin Thumanë-Kashar duke rrezikuar qarkullimin, është shuar.
Mbrëmja e së enjtes rezultoi kritike për fshatin Piraj të Lezhës ku situata u vu nën kontroll pas 5 orëve betejë me flakët. Nga zjarri u dogjën dy shtëpi të braktisura, një kasolle bagëtish, sipërfaqe të mëdha me pemë, si dhe është dëmtuar linja hekurudhore.
Vatra të tjera pati edhe në Galush e Gjevurë të Peqinit, vend-depozitimin e mbetjeve të bashkive Bulqizë dhe Klos, si dhe në afërsi të kodrave të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, në Fier.


