Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Durrësit (PL) Anisa Ibraj ka reaguar në rrjetet sociale për problematikat me të cilat përballen studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në nisje të vitit të ri akademik.

Ibraj ngre shqetësimin për mungesën e konvikteve në Durrës, ndërsa thekson se studentët përballen çdo ditë me kosto të larta të qirave, ushqimeve dhe shpenzimeve të tjera të jetesës.
Sipas saj, situatën e vështirëson edhe transporti publik për studentët që udhëtojnë drejt godinave universitare në Spitallë.
“Fillimi i vitit të ri akademik duhet të ishte një ditë shprese për mijëra të rinj. Por për studentët e Durrësit, të jesh student është kthyer në një sfidë të përditshme përballë kostos së lartë të jetesës”, shprehet Ibraj.
Ajo thekson se Durrësi është i vetmi universitet publik në vend pa konvikte dhe ngre shqetësimin edhe për mënyrën se si janë trajtuar protestat e studentëve.
“Ndërsa të rinjtë që ngrihen e protestojnë për të drejtën e tyre për arsim, akomodim dhe një jetë të përballueshme përballen me policinë dhe komisariatin, lind pyetja: Ku është e njëjta forcë e shtetit përballë atyre që akuzohen për korrupsion, që kanë abuzuar me pushtetin dhe me paratë tona?”, përfundon ajo.
©ZëriOnline


