Një punonjës i Policisë së Shtetit është arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohet se mori para për të favorizuar një person të vendosur në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Sipas AMP-së, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, u arrestua inspektori Çlirim Torra, me detyrë SPZ pranë Stacionit të Policisë Prrenjas, Komisariati i Policisë Librazhd.
Nga hetimet dyshohet se efektivi ka marrë një shumë parash për të favorizuar shtetasin me inicialet A.R., ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”, duke i mundësuar shkeljen e kësaj mase dhe largimin nga banesa.
Në përfundim të veprimeve hetimore, ndaj inspektorit rëndojnë dyshimet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Shpërdorim detyre”.
AMP bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësive të personave të përfshirë, ndërsa thekson se do të vazhdojë të veprojë me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe çdo shkeljeje që cenon integritetin e punonjësve të strukturave ligjzbatuese.


