Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Feta Matajn, 44 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, kryer në bashkëpunim”.
Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës.
Sipas njoftimit të policisë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Emri i Feta Matajt rikthehet në vëmendje në një moment kur familja e tij është përfshirë në disa çështje të raportuara së fundmi.
Mataj është bashkëshorti i Elisabeta Matajt, ish-drejtores së Postës së Durrësit, e cila është nën hetim dhe arrest shtëpie. Ajo u arrestua në korrik 2026, nën dyshimin për përvetësimin në bashkëpunim të rreth 700 mijë eurove të destinuara për pagesën e pensioneve në Shijak dhe Krujë. Më 25 shtator, gjykata ndryshoi masën e sigurisë për të, duke e lënë në “arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, në ditët e fundit është proceduar penalisht edhe djali 18-vjeçar i çiftit. Ai dyshohet se është përfshirë në një konflikt në Durrës, gjatë të cilit ka goditur me grusht një efektiv policie 25-vjeçar, i cili në atë moment ishte jashtë shërbimit.
Sa i përket Feta Matajt, ndaj tij tashmë rëndon një masë sigurie “Arrest në burg”, ndërsa hetimet për akuzën e ngritur ndaj tij vijojnë nga organet e drejtësisë.


