Arsimi profesional në Durrës po tërheq gjithnjë e më shumë të rinj që dëshirojnë të sigurojnë një arsim të specializuar dhe një vend të sigurt pune pas përfundimit të shkollës. Sipas të dhënave nga drejtueses së Zyrës Vendore të Arsimit në Durrës, Amarilda Thërmija regjistrimet në shkollat e mesme profesionale janë rritur me 19% krahasuar me vitin e kaluar. Degët më të kërkuara këtë vit janë ato të hoteleri-turizmit, por nuk mbeten pas edhe profilet e tjera profesionale.


Samantha, nxënëse e klasës X në degën e Hoteleri-Turizmit thotë se kjo shkollë do t’i japë një profesion kaq shumë të kërkuar në tregun turistik që po njeh një rritje të shpejtë.
Blerina Dervishi, drejtoreshë e shkollës teknologjike “Hysen Çela,” nënvizon se kjo shkollë është hapur në fund të viteve ’60 për të plotësuar nevojat e tregut të punës dhe sot, ajo vazhdon të mbajë gjallë këtë traditë në përgatitjen e profesionistëve të rinj. Ajo shprehet se rritja e interesit për këtë shkollë është evidente dhe degët më të kërkuara janë të larmishme, po më e kërkuara është dega e hoteleri-turizmit e ndjekur nga teknologjia ushqimore.

Një nga degët me rëndësi të veçantë për Durrësin dhe komunitetet e zonave bregdetare është dhe ajo e detarisë dhe peshkimit. Mungesa e punonjësve të kualifikuar në këtë fushë ka qenë një problem prej vitesh, por vitet e fundit interesi për këtë degë është gjithashtu në rritje. Erjon Agushi, nxënës i vitit të katërt në degën e Detarisë, ndan përvojën e tij dhe thekson rëndësinë e këtij profesioni për karrierën e tij, duke ftuar edhe vajzat që të ndjekin këtë drejtim që vazhdon të konsiderohet si degë djemsh. Ai shpreson që së shpejti të bëhet oficer anijeje, duke vazhduar një traditë familjare.
Drejtoresha e shkollës Blerina Dervishi shprehet entuziaste për interesin në rritje të nxënësve dhe përgatitjen që stafi pedagogjik ofron për të rinjtë. Shkolla ka lidhje me afërsisht 380 biznese, të cilat ndihmojnë në ofrimin e praktikave profesionale dhe punësimit të pjesshëm. Këtë vit është hapur edhe profili i kuzhinës duale, duke ofruar mundësi të reja për studentët.
Me mundësitë që ofron arsimi profesional në Durrës, të rinjtë marrin përgatitjen e nevojshme për të përballuar sfidat e tregut të punës dhe për të ndërtuar një të ardhme të suksesshme në profesionet e tyre të zgjedhura. Ndërthurja e teorisë me praktikën dhe mundësitë e shumta për punësim janë çelësi për të siguruar një karrierë të qëndrueshme.
©️zërionline


