Një shtetase gjermane 51-vjeçare është arrestuar nga Policia Kufitare e Kakavijës, pasi gjatë kontrollit të automjetit dhe rul otit që drejtonte iu gjetën një armë zjarri, municion dhe 141 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Risku 2”, të zhvilluar për parandalimin e trafikimit të armëve dhe lëndëve narkotike përmes pikës së kalimit kufitar.
Sipas njoftimit të Policisë, automjeti me rulot, i drejtuar nga shtetasja me inicialet A. S., u kontrollua fillimisht me skaner dhe më pas iu nënshtrua një verifikimi të detajuar në vijën e dytë, në dalje të territorit shqiptar.
Gjatë kontrollit, efektivët zbuluan një pistoletë me mulli dhe municionin përkatës, si dhe gjashtë kavanoza dhe tri qese hermetike që përmbanin rreth 141 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Pas zbulimit të sendeve të paligjshme, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Gjirokastrës arrestuan në flagrancë 51-vjeçaren.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma, municioni, lënda e dyshuar narkotike, automjeti së bashku me rulotin dhe një telefon celular.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për hetime të mëtejshme lidhur me veprat penale të dyshuara të “Trafikimit të narkotikëve” dhe “Trafikimit të armëve dhe municioneve”.


